E Hënë, 2 Nëntor 2026

KLP reagon ndaj publikimeve në medie: Pretendimet për shkelje trajtohen përmes mekanizmave ligjorë

TIRANË, 2 qershor /ATSH/ Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) njoftoi sot se në ushtrim të rolit të tij kushtetues për garantimin e pavarësisë dhe integritetit të prokurorëve, ka ndjekur publikimet mediatike lidhur me prokuroren Merita Selimi.

Sipas KLP-së, në disa emisione televizive dhe publikime online janë parashtruar pretendime ndaj prokurores Merita Selimi lidhur me ushtrimin e funksionit të saj në hetimin e një procedimi penal konkret, duke vënë në diskutim integritetin profesional të prokurores, ndërkohë që çështja vijon të jetë ende në hetim.

“Kodi Etik i Medias Shqiptare përcakton që informacioni duhet të jetë i saktë, i verifikuar dhe i paanshëm, si dhe gjatë raportimit të polemikave duhet t’u jepet mundësia të gjitha palëve të përfshira të paraqesin qëndrimet e tyre”, thekson KLP.

KLP rikujton se “çdo pretendim për shkelje ligjore ose etike nga një prokuror duhet të trajtohet përmes mekanizmave dhe procedurave të parashikuara nga ligji”.

“Mbrojtja e pavarësisë dhe integritetit të prokurorëve nuk synon t’i mbrojë ata nga kritika publike, por të garantojë që vlerësimi i veprimtarisë së tyre të bazohet në fakte, prova dhe procedura ligjore”, nënvizon KLP.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë thekson se mbetet i përkushtuar për bashkëpunim me median dhe institucionet, me synim forcimin e transparencës, llogaridhënies dhe besimit të publikut te drejtësia, duke respektuar pavarësinë dhe integritetin profesional të magjistratëve.

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›