Rama: Protestuesit të tregojnë projektin për të cilin protestojnë, janë pre e manipulatorëve

TIRANË, 1 qershor /ATSH/ Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste dhe njëherësh Kryeministër, mori pjesë sot në 35-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste, të zhvilluar në qytetin e Beratit.
Në fjalën e tij, Rama u ndal te situata në zonën e Zvërnecit, teksa u shpreh se projekti në Zvërnec do të sjellë 4 miliardë euro investime.
Rama theksoi se zhvillimet në zonën e Vlorës kanë ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e vlerës së pronës.
“Në një moment që sot, miqtë e mi, që transformimi i vijës bregdetare të Vlorës e ka rritur 4-fish vlerën e pronës. Ato janë prona të shqiptarëve”, tha Rama.
“Çfarë domethënë që Shqipëria është e shqiptarëve? Kush e ka vënë në diskutim? Puna është që t’i bëjmë shqiptarët të ndjehen në Shqipëri të barabartë jo vetëm me të drejta, por edhe me mundësi, apo të një vendi që ka mundësi të bëhet konkurrues në ligën më të lartë të turizmit”, theksoi Rama.
Kryeministri theksoi se, kush proteston duhet të nxjerrë dhe tregojë projektin për të cilin proteston, por shtoi ai, projekti nuk është i përfunduar, teksa po punohet prej thuajse tre vitesh.
“Sepse ne në emrin e shqiptarëve – sepse Shqipëria është e shqiptarëve – kemi mbajtur një qëndrim shumë kërkues për standardet e një projekti, që do të sjellë 4 miliardë euro në Shqipëri. 27 miliardë euro është i gjithë PBB”, tha Rama.
“Kemi qenë shumë kërkues për të gjitha këto shqetësime që kanë ata, që bien pre e manipulatorëve, që bien pre e disa pseudomyslimanëve pa din, pa iman, pa Kuran, që përhapin gjithandej një legjendë skandaloze që Zvërneci i është shitur Izraelit dhe aty do të vijnë palestinezët”, tha Rama.
Madje-madje, shtoi kryeministri, “përhapin edhe video ku kërkojnë të dinë emrin, mbiemrin e vendbanimin e atij rojës që bëri atë akt skandaloz, dhe e duan sepse duan ta vrasin dhe vënë lekë dhe euro nëpër ato faqet e tyre të ndyra, duke i bërë thirrje urrejtjes dhe duke ngatërruar gjërat, pikërisht në atë mënyrë që i druhet sot bota demokratike”.
“Si mund të jenë ata në aleancë me median greke?! Janë dy qenie të ndryshme. Janë shqetësuar mediet greke nga mëngjesi në darkë për mjedisin në Shqipëri. Ndërkohë që askush nuk tregon projektin, i cili po punohet nga 5 studiot më prestigjiozet në botë, nga inxhinierë të mbledhur më të mirë në botë”, tha Rama, teksa shtoi se studimi mjedisor po bëhet nga një prej studiove më të mira në botë.
“E kemi kërkuar ne të na vijnë në tavolinë. Pa të gjitha këto, nuk ka leje ndërtimi”, tha Rama.
/gj.m/a.f/r.e/