E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Qeveria, dyfish më e korruptuar

 

Aristir Lumezi

Raporti i Fondit Monetar Ndërkombëtar hedh poshtë deklaratat e bujshme të Kryeministrit Berisha. Kryetari socialist Edi Rama i bëri dje, përmes një konference për shtyp, një analizë të hollësishme bilancit të Kryeministrit Berisha për 7-mujorin e këtij viti. Rama duke iu referuar raportit të FMN-së tha se, ai rrëzon të gjitha pretendimet e kryeministrit për suksese.  
“Shifrat e raportit të FMN-së konfirmojnë, pa asnjë mëdyshje, se korrupsioni është jo vetëm njolla më e zezë e kësaj qeverisjeje, por se treguesi i korrupsionit për periudhën 2005-2007 është dy herë më i keq se ai i periudhës së mëparshme dhe tri herë më i keq se ai i vendeve të pranuara së fundmi në Bashkimin Evropian”, tha Rama. Sipas tij, “Shqipëria renditet në krye kokëposhtë, e zhytur edhe më thellë sesa Kazakistani, Azerbajxhani, Moldavia, Bjellorusia e të tjera vende thellësisht të korruptuara, të cilat më parë renditeshin zakonisht nën vendin tonë”. Por kreu socialist, bazuar në raportin e FMN-së, nënvizoi gjatë konferencës së djeshme se edhe treguesi i nivelit të zbatimit të ligjit dhe rendit publik, ndryshe nga ç’pretendon Kryeministri Berisha, është përkeqësuar në mënyrë alarmante. “Ky tregues është dukshëm nën nivelin e vendeve me të ardhura të ulëta, ai as nuk mund të krahasohet me atë të vendeve me të ardhura të mesme, ku llogaritet Shqipëria, dhe aq më pak me vendet e pranuara rishtas në Bashkimin Evropian, ku Shqipëria synon të integrohet”, tha Rama. Kreu i PS-së akuzoi kryeministri për përfshirjen e tij në aferën e Gërdecit. “Raporti nuk thotë se çfarë ka ndikuar më shumë në këtë vlerësim tejet negativ, përhapja endemike e korrupsionit në çdo kontakt me administratën shtetërore(?), rritja e dukshme e korrupsionit famëkeq në administrimin e fondeve publike(?), shpërthimi vullkanik i korrupsionit në Gërdec apo vetë implikimi i kryeministrit në këtë turp të pashembullt tëqeverisë shqiptare (?)”, deklaroi Rama.
Duke ballafaquar deklaratat e Kryeministrit Berisha dhe raportin e FMN-së, Rama tha se ritmet e rritjes ekonomike janë nga më të ulëtat. “Raporti konfirmon përmes shifrave lehtësisht të krahasueshme se ritmet e rritjes ekonomike për periudhën 2005-2007, me të cilat mburret deri në qesharakëzim të plotë Kryeministri Sali Berisha, janë në fakt më ulëta se ritmet e kësaj rritjeje në periudhën 1998-2004”, tha kreu socialist.
Rama solli fakte referuar raportit të FMN-së se deficiti ekonomik i vendit është nga më i larti. “Raporti konfirmon përmes shifrave kuptimplota deficitin më të lartë të të gjithë periudhës së tranzicionit shqiptar - minus 6.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ky deficit është më shumë se dy herë më i lartë se ai i vendeve me të ardhura të ulëta dhe rreth dy herë më i lartë se ai i vendeve me të ardhura të mesme”, tha Rama. Sipas tij, qeveria ka dështuar edhe në reformat për fshatin. Kreu socialist, duke prekur raportin e qeverisë me biznesin, tha se liritë e biznesit janë më të kufizuara se në vendet e tjera. “Raporti konfirmon, përmes treguesish kokëfortë, se liritë e biznesit në Shqipëri janë më të kufizuara se në vendet e tjera. Kjo është tejet shqetësuese në përgjithësi, por mjafton shembulli i rëndë për eksportet, të cilat për periudhën 2005-2007 arritën në rreth 24.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërkohë që në vendet me të ardhura të ulëta në të njëjtën periudhë ato zënë rreth 33.2%, ndërsa në vendet me të ardhura mesatare rreth 45.7% të PBB-së. Pra, afro dyfishin e Shqipërisë”, tha Rama. Kreu socialist, duke iu referuar raportit të FMN-së shprehet se “shifrat flasin për dështimin e plotë të Kryeministrit Sali Berisha në reformën e sektorit energjetik”. Edhe shpenzimet qeveritare për periudhën 2005-2007 janë njëlloj si ato të viteve 2002-2004 dhe shumë të larta, krahasuar me vendet e tjera të nivelit ekonomik të Shqipërisë. “Vetëm për qokat e kota ndërkombëtare të spikeres së Kuvendit Jozefinë, shqiptarët kanë paguar 500 mijë kilometra fluturime rrotull planetit”, tha Rama.

Dështimet sipas Ramës

 Treguesi i korrupsionit për periudhën 2005-2007 është dy herë më i keq se ai i periudhës së mëparshme dhe tri herë më i keq se ai i vendeve të pranuara së fundmi në Bashkimin Evropian

 Treguesi i nivelit të zbatimit të ligjit dhe rendit publik, është përkeqësuar në mënyrë alarmante

 Ritmet e rritjes ekonomike për periudhën 2005-2007 janë në fakt më të ulëta se ritmet e kësaj rritjeje në periudhën 1998-2004

 Deficiti më i lartë i të gjithë periudhës së tranzicionit shqiptar, minus 6.9 për qind të PBB

 Fshati është në nivelet më të ulëta të treguesve të tij ekonomikë e socialë

 Liritë e biznesit në Shqipëri janë më të kufizuara se në vendet e tjera

 Qeveria dështoi në reformën e sektorit energjetik

 Shpenzimet qeveritare të periudhës 2005-2007 janë pothuajse në të njëjtin nivel me ato të periudhës 2002-2004

 Vetëm për qokat e kota ndërkombëtare të spikeres së Kuvendit Jozefinë, shqiptarët kanë paguar 500 mijë kilometra fluturime rrotull planetit

Veliaj: Shqipëria sot më e korruptuar

Drejtuesi i Lëvizjes G99, Erion Veliaj bëri një analizë të bilanceve të deklaruara nga Kryeministri Berisha për qeverinë e tij. “Sot pas mëse tre vjetëve me ‘duar të pastra’ raporte e deklarata, nga Transparency International, Banka Botërore, BE, CIA, e diplomatë të Shteteve të Bashkuara, tregojnë qartë se situata e korrupsionit në vend vetëm sa është përkeqësuar. Dhe qytetarët shqiptarë, që e mbajnë këtë peshë çdo ditë mbi supe po e kuptojnë tani më mirë se raportet, se në 2005 vetëm sa paskemi ndërruar disa të korruptuar me disa të korruptuar të paaftë”, tha Veliaj. Sipas tij, Kryeministri i Gërdecit, përgjegjës i drejtpërdrejtë për dështimin korruptiv së të gjitha strukturave të shtetit, gjen kurajën të flasë për arritje në menaxhimin e krizës, në të njëjtën ditë që ministri i tij thotë, që Gërdeci është një bombë që ende mund të shpërthejë.

Braçe: KESH-i, deficiti i tij aq sa buxheti i Shëndetësisë
Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erion Braçe akuzoi qeverinë se po keq menaxhon Korporatën Elektroenergjetike. Sipas tij, deficiti i kësaj korporate, është i barabartë me buxhetin që merr Ministria e Shëndetësisë nga PBB. “Korporata Energjetike, përfaqëson sot ndërmarrjen më keq të menaxhuar, më mirë të vjedhur dhe me humbje kolosale për buxhetin e shtetit. Dua t’ju them se vetëm për vitin 2007, në vëmendje të FMN dhe BB, humbja në buxhet nga korporata është e barabartë me gati 2 % të GDP, ose sa është sot buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë. Qeveria sot është bërë pjesë e monopolit të tregtive të karburanteve, monopoli dhe qeveria gjithnjë e më tepër po rrjepin qytetarët. Dua ta përsërit dhe ta theksoj, se qeveria është e pa interesuar që të bjerë çmimi i karburanteve në këtë vend, sepse qeveria është e interesuar që të rrjepë qytetarët përmes TVSH 20 %, që është akoma më e lartë, sa herë më shumë rriten çmimet”, tha Braçe. Nënkryetari i grupit të deputetëve socialistë, akuzoi Kryeministrin Berisha se po gënjen shqiptarët me premtimet e tij të pambajtura për energji dhe ujë. “Sot, Sali Berisha rrit çmimin e energjisë elektrike për të shpëtuar treguesit e kafshuar nga vjedhjet. Mbi 70 mijë familje dhe biznese në të gjithë vendin, nuk kanë ende matës dhe faturimi abuziv aforfe vazhdon të shtrihet jo vetëm në këtë grup familjesh pa matës, por edhe në ato familje që kanë matës. Humbjet vetëm për 6-mujorin e këtij viti, sipas Institutit të Statistikës, shkojnë në 33.3 % ose 1.1 miliardë”, tha Braçe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›