E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Rezoluta e PD në PPE broçkulla të përsëritura sa herë ka pasur zgjedhje, boria e parë e humbjes

TIRANË, 1 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama në rubrikën “Sy m’sy” reagoi në lidhje me lidhje me rezolutën e miratuar nga grupi i Partive Popullore Europiane (PPE) e hartuar nga Partia Demokratike.

Kreu i qeverisë iu përgjigj çdo shqetësimi të opozitës të reflektuar në rezolutë kryesisht në lidhje me procesin zgjedhor.

Rama tha se rezoluta e PD-së ishte si boria e parë e humbjes, ndërsa e cilësoi si një mal me broçkulla të përsëritura sa herë ka pasur zgjedhje.

Sipas Ramës, këtë herë ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme ka një strukturë të Posaçme siç është SPAK që po heton në terren krimin zgjedhor.

“Kemi disa gjëra për të folur duke u nisur nga boria e parë e humbjes që ra dje në një mbledhje diku në Spanjë ku ishin mbledhur partitë simotra të kënetës që u ka mbetur këneta mes tyre dhe nuk dinë as ato ç’të bëjnë. Këneta kaloi nëpër tavolina një fletërrufe dhe aty filloi avazin blerje vote me lekë dhe kanabis, punësime elektorale dhe prokurime favorizuese për mbështetësit e socialistëve, abuzime me detyrën dhe mediat, emërimi legal i kryetarit të bashkisë, kërcënime dhe hetime kundër kandidatëve të opozitës”, u shpreh Rama.

“Domethënë një mal me broçkulla të dëgjuara sa herë ka pasur zgjedhje të përsëritura, sa herë ka pasur humbja. E reja e këtyre zgjedhjeve është se kemi një strukturë të tërë të posaçme, SPAK që është në terren dhe është edhe në zyrë dhe është i fokusuar në marrjen e të gjithë denoncimeve që ma ha mendja mua janë lumë se kur lexon ketë fletërrufe e kupton që fletërrufeja duhet mbështetur me denoncime dhe denoncimet janë në stilin e kënetës njësoj si ato të kohës së dikurshme. Denonco, fillo presionin, vëre nën dritën e prozhektorëve, prokurorët detyroji të fillojnë procese, deri kur ajo që ti kërkon të marrë trajtën e një hetimi pastaj në momentin që fillon hetimi shpall fajësinë ti përpara se ta nxjerri hetimi kjo është logjika e përgjithshme”, vijoi Rama.

“Duke qenë se kam qenë dhe vetë pre e një kallëzimi të rremë jam shumë i qartë si zhvillohet e gjitha. Por fakti është se tanimë kemi një institucion që është mbi palët dhe që le t’i shohë dhe le t’i verifikojë se ku janë votat që po merren në këmbim të kanabisit se kjo është kulminante”, tha Rama.

Për sa i përket punësimeve elektorale, Rama theksoi se kohë përpara qeveria ka nxjerrë një vendim dhe ka ndalur të gjitha llojet e punësimeve gjë që se kërkon ligji por e ka bërë qeveria për të shprehur gjithë vullnetin e lirë për të dhënë çdo kontribut që fusha e betejës të jetë sa më e barabartë.

I ndalur tek prokurimet, Rama nënvizoi “nuk ka fare as favorizuese dhe as jo favorizuese. Edhe pse kujtoj se Shqipëria sot gjendet e para në klasifikim për integritetin e prokurimeve publike në rajon, dhe këtë e thotë Komisionin Europian”.

“Abuzimet me mediat. Tani nuk e di për çfarë bëhet fjalë por di një gjë që mediat janë në pozita më abuzive në raport me popullin kur vjen puna tek komentet e sondazheve të pavarura që bëjnë sa në një ekran në tjetrin dhe ku të gjitha sondazhet thonë se shumica e popullit mbështet PS-në. shumica e popullit mendon se Shqipëria po shkon drejtimin e duhur, dhe ndërkohë në media komentohet se populli është i çmendur, i sëmurë, i blerë, frikacake, të gjitha këto me radhë. Të gjitha këto i atribuohen popullit për një arsye shumë të thjeshtë në 95% të rasteve duan humbjen e PS-së, janë kundërshtarë të investuar nuk janë kritikë të pavarur”, theksoi Rama.

Për emërimin e kryetarit të bashkisë së Tiranës Rama tha “sa i përket emërimit ilegal të kryetarit të bashkisë, unë nuk di se cili është emërimi ilegal. Siç ndodh në të gjitha këto raste ka një nënkryetare që bën detyrën e drejtimit të bashkisë dhe që e ka marrë atë detyrë sipas të gjitha rregullave me delegim”.

“Kërcënime dhe hetime kundër kandidatëve të opozitës këtu me siguri është fjala për hetimin e bufit të kënetës që nuk ka lidhje fare me fushatën zgjedhore”, nënvizoi Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›