E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Shqipëria në këto tre mandate tonat, kapërcim epokal

TIRANË, 1 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama foli sot për shifra kokëforta që tregojnë transformimin ekonomik të vendit përgjatë 3 mandateve të qeverisjes së drejtuar prej tij.

Në rubrikën “Sy m’sy”, ku kryeministri ka zgjedhur t’u përgjigjet qytetarëve, bëri të ditur se Prodhimi i Brendshëm Bruto në vend ka njohur rritje me 2,5 herë.

“Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) është rritur me 2,5 herë. Kur morëm drejtimin e vendit ishte më pak se 10 miliardë euro. E gjithë vlera e krijuar në këtë vend ishte më pak se 10 miliardë euro. Sot ka shkuar 25 miliardë euro dhe projeksioni për 2030-ën është 35 miliardë euro. Kjo është Shqipëria sot krahasimisht me atë që morëm”, deklaroi Rama.

Duke krahasuar të dhënat me vendet e rajonit, Rama bëri të ditur se rritja e PBB-së në vendin tonë ishte 109,6%, ndërsa në vendet e rajonit ishte 64%.

“Ne nuk krahasohemi me Gjermaninë. E kemi nisur duke qenë të fundit e rajonit dhe sot jemi në pragun e 109,6% rritjeje të prodhimit të Shqipërisë. Rajoni ka një rritje mesatare prej 64%. Shqipëria në këto tre mandate tonat ka bërë kapërcim epokal”, nënvizoi Rama. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›