E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: PS fituese sepse i nis përgatitjet për zgjedhjet shumë përpara të tjerëve

TIRANË, 31 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, shprehu sot bindjen se PS do të korrë sukses në zgjedhjet e ardhshme vendore.

Në mbledhjen e Asamblesë së PS-së në njësinë 7 në kryeqytet, Rama u shpreh se “PS i fillon përgatitjet për zgjedhjet shumë përpara të tjerëve dhe kur të tjerët merren me ne, ne merremi me veten”.

“Jemi tamam në kohë për të filluar të mbjellim rezultatin që do të korrim në zgjedhjet e ardhshme vendore, të cilat janë pas 14-15 muajsh. Jam i bindur që ne jemi fitues dhe për një arsye tjetër, që është faktikisht arsyeja që na mbledh sot. Nuk harrojmë që njëkohësisht detyra jonë është të qeverisim Shqipërinë dhe të trajtojmë të gjitha aspektet e jetës së vendit, për të cilat kemi marrë besimin e një shumice shqiptarësh”, tha Rama.

Ndërkohë, Rama theksoi se ishte e pabesueshme raportimi, edhe në medie kombëtare, mbi mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe qeverisë.

Kryeministri informoi se në këtë mbledhje u diskutuan çështje me interes për qytetarët, duke nisur nga çështja e pronave dhe deri te reforma administrativo-territoriale, ndërkohë në medie kjo nuk u pasqyrua.

“Ishte spektakolare, ishte e pabesueshme edhe për mua që besoj që nuk ka më çfarë më surprizon, që ne mblidhemi në një mbledhje të zgjeruar të grupit parlamentar me qeverinë, gjë që kemi vendosur ta bëjmë çdo fund muaji, për të trajtuar tema specifike. I kushtojmë orë të tëra çështjes së pronave, çështjes së shërbimit të Kadastrës, problematikave në këtë shërbim, ecurisë së reformës në Kadastër, shumë gjërave pozitive që janë bërë, shumë gjëra që duhen të vazhdojnë të bëhen. Pastaj flasim për reformën administrative-territoriale, fillojmë në 11 dhe dalim në 6, dhe mediet kombëtare raportojnë për publikun çfarë i tha Edi Rama njërit dhe çfarë i tha Edi Rama tjetrit”, tha Rama.

Sipas tij, “shqetësimi nuk është ky, pasi njerëzit kanë votuar dhe duan të dinë gjëra të tjera”.

Po ashtu, Rama theksoi se PS duhet të forcojë organizimin në mënyrë të qëndrueshme.

“Po të shtojmë forcën e grave prezente, do të kemi më shumë sukses. Kjo është e sigurt! Gratë socialiste sidomos janë realisht shumë. 83 mandate, ne nuk na i fal askush. Ka vetëm një arsye të madhe pse ne i arrijmë edhe 83 mandate sepse ne kemi parti, ata s’kanë parti. Andej kanë marrë fund partitë. Nuk ka parti atje që të mblidhen kështu siç mblidhemi ne me kryetar organizatash e me organizatë, ku ka atje. Kjo është forcë e madhe që kemi dhe duhet ta përmirësojmë, duhet ta freskojmë. Duhet ta motivojmë, sepse kjo është forca jonë”, shtoi Rama.

/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›