Rama: Sazani është një negociatë që nuk ka pasur deri tani një përfundim

TIRANË, 12 qershor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel se negociatat për projektin e investimit në Sazan vijojnë prej më shumë se dy vitesh dhe se nuk ka ende një përfundim të procesit.
I pyetur lidhur me intervistën e Ivanka Trump për projektin në Sazan dhe nëse ishte e lehtë të merrej ishulli, Rama tha se, mediat nuk duhet të abuzojnë me informacionin dhe se në Shqipëri nuk mund të jepen prona apo ishuj në mënyrë të fshehtë.
“Po të kishte marrë zonja në fjalë ishullin, do të duhej të kishte ndodhur një proces, sepse në Republikën e Shqipërisë, pavarësisht sesi funksionon imagjinata kolektive në këtë rast, nuk mund të merren e të jepen ishuj dhe prona fshehtas. Kjo nuk ekziston. Gjithçka bëhet në dritën e diellit. Fshehtas nuk ndodh asgjë, sepse nuk ka si të ndodhë”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se edhe sot, pas më shumë se dy vitesh diskutimesh, nuk ka ende një konkluzion përfundimtar për projektin.
“Sot që flasim, prej dy vitesh e ca ne nuk kemi një konkluzion për Sazanin, sepse jemi duke negociuar. E kam shpjeguar nuk e di sa herë, por juve nuk ju intereson e vërteta, ju intereson spektakli”, tha kryeministri.
Rama nënvizoi se procesi për Sazanin mbetet ende në fazën e negociatave dhe nuk ka përfunduar.
Ai gjithashtu hodhi poshtë pretendimet se investitorë të huaj po marrin pasuritë e vendit pa respektuar rregullat dhe procedurat.
“Ideja se këtu kanë ardhur disa njerëz të pasur dhe po marrin pasuritë e vendit duke bërë çfarë të duan është një ide që mund ta promovojnë vetëm ata që do të vepronin në këtë mënyrë po të ishin në vendin tonë dhe në vendin tim”, deklaroi Rama.
Sipas tij, negociatat kanë qenë një proces i vazhdueshëm diskutimesh dhe vlerësimesh mes palëve, ku institucionet shqiptare kanë mbrojtur standardet e zhvillimit dhe interesin publik.
“E vërteta është se kemi të bëjmë me një proces vajtje-ardhje, ku me krenari mund të them se autoritetet tona, Agjencia jonë e Zhvillimit, Agjencia jonë e Planifikimit dhe të gjithë djemtë e vajzat që punojnë për shtetin shqiptar kanë qenë profesionalë dhe kanë mbrojtur standardet dhe një vizion që nuk parashikon shkatërrimin e zonave të mbrojtura, por zhvillimin harmonik të tyre”, tha ai.
Kryeministri shtoi se bëhet fjalë për një investim që sipas tij do të ishte i mirëpritur në çdo vend të rajonit.
“Është një investim që vetëm këtu në Shqipëri mund të bëhet shkak për konflikt. Ju siguroj se çdo vend përreth rajonit do ta dëshironte një investim të tillë. Nuk është e rastësishme që në rajon ka kaq shumë nervozizëm dhe tension për mundësinë e realizimit të këtij investimi në Shqipëri”, përfundoi Rama.
/gj.m/a.f/