E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Shembja e aksit Librazhd-Përrenjas për arsye natyrore, shpifje nga makineria e baltës politike e mediatike

TIRANË, 7 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me banorët e zonës ku ndodhi shembja e aksit Librazhd-Përrenjas, nga ku hodhi poshtë pretendimet se ajo erdhi prej aferave korruptive.

Ai theksoi se rrëshqitja ndodhi në segmentin e vjetër dhe lidhet me një fenomen tërësisht natyror.

“Plagë e hapur që ka shkaktuar një rrebesh balte të jashtëzakonshme të prodhuar nga makineria e baltës politike e mediatike që ka tundur 700 tenxheret me gjithfarë shpifjesh, akuzash e fantazish se me demek, u shemb rruga nga korrupsioni, ndërkohë që është shumë e qartë që segmenti është i vjetër dhe rrëshqitja lidhet me një fenomen tërësisht natyror”, tha Rama.

Rama shprehu keqardhjen për situatën që ndodhi dhe që shkaktoi shumë shqetësime duke prishur ritmin e jetës për shumë banorë.

Por, vijoi ai, jemi këtu për të vënë qetësi për një kalendar pune dhe afatet e reja që i kemi vënë vetes.

Rama iu përgjigj edhe akuzave lidhur me situatën e krijuar, ndërsa shprehu bindjen se e vërteta fiton gjithmonë.

“Shpejtësia e gënjeshtrës është bërë shumë më e madhe, ndërkohë që e vërteta është në vështirësi shumë të madhe për shkak të vorbullave dhe uraganëve të gënjeshtrave që vijnë nga të katra anët nga pasqyrat e telefonave dhe kanalet e medias. E vërteta në fund gjithmonë del dhe fiton. Duhet vetëm durim dhe këmbëngulje për të vazhduar drejt”, tha Rama.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›