Rama: Shembja e rrugës Librazhd-Prrenjas për shkaqe gjeologjike

TIRANË, 26 shkurt/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se shembja e rrugës Librazhd-Prrenjas ka ndodhur për shkaqe gjeologjike, një fenomen që ka prekur infrastrukturën edhe në vende të tjera të zhvilluara.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama theksoi se në atë aks po bëhet një nga veprat më të mëdha të infrastrukturës që do të jetë një tjetër krenari e kësaj qeverie.
“Ka disa ditë që po bëhet nami për rrëshqitjen e rrugës në aksin Librazhd-Prrenjas. Një rrëshqitje edhe më dramatike është në anën tjetër të kufirit, një autostradë nga më të rejat e Greqisë dhe tenxheret e Greqisë, që nuk është se janë pa ‘presion’, nuk kanë reaguar”, tha Rama.
Kryeministri solli në vëmendje edhe rrëshqitjen e rrugës Korçë-Ersekë, e cila sipas tij u riparua brenda afatit me fondet e sipërmarrësit.
“Rruga sot është e shqiptarëve edhe pse ndodhi një gjë që nuk duhet të ndodhte. Por këto nuk janë gjërat që nuk ndodhin askund dhe ndodhin vetëm këtu. Ndryshimi i vetëm është se në Portugali, në Itali apo në Greqi janë çështje gjeologjike, këtu jo. Këtu janë çështje të korrupsionit”, tha Rama.
Duke u ndalur te akuzat e opozitës, Rama tha se “e keqja është se ata që janë kundër nesh i besojnë”.
“E besojnë se ministri lan makinën me 10 mijë euro apo që dikush tjetër ka 300 shtëpi e dy anije. I besojnë kaq verbërisht ekzistencës së pushtetit absolut të korrupsionit në Shqipëri”, tha Rama.
/a.f/