Malaj: Viti 2026, viti i Inteligjencës Artificiale në administratën fiskale

TIRANË, 26 shkurt/ATSH/ Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi sot se të ardhurat nga tatimet dhe doganat, përfshirë kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, për vitin 2025 arritën në 6.7 miliardë euro, me një rritje prej rreth 560 milionë euro krahasuar me vitin 2024.
Sipas tij, edhe për vitin 2026 planifikohet një rritje e mëtejshme e të ardhurave me rreth 540 milionë euro më shumë se në vitin 2025, duke bërë që në dy vite rritja totale të kalojë mbi 1 miliard euro.
“Këto të ardhura janë rezultat i miradministrimit tatimor dhe doganor dhe jo i rritjes së taksave”, theksoi Malaj.
Ai bëri të ditur se, si rezultat i ecurisë së qëndrueshme ekonomike, në kuadër të Programit Buxhetor Afatmesëm 2026–2028 janë parashikuar politika të rëndësishme sociale, si rritja dhe indeksimi i pensioneve, rritja e pagës minimale, si dhe indeksimi i pagave në administratën publike çdo dy vite.
Gjithashtu, janë planifikuar rritje të shpenzimeve buxhetore për sektorë prioritarë si arsimi, mbrojtja sociale, shëndetësia dhe bujqësia.
Ministri nënvizoi disa nga arritjet kryesore të vitit 2025, mes të cilave emetimin e suksesshëm të Eurobondit në shkurt, në vlerën 650 milionë euro.
Sipas tij, kërkesa e investitorëve të huaj për Eurobondin shqiptar e tejkaloi 4,3 herë shumën e kërkuar, duke shënuar një nga nivelet më të larta të mbulimit të arritura ndonjëherë.
Gjatë vitit 2025, tha ai, u miratua gjithashtu Garancia Sovrane për sektorin e bujqësisë, e cila vë në dispozicion të fermerëve rreth 30 milionë euro kredi të buta me normë interesi 2%, duke garantuar deri në 70% të kredisë.
“Kjo skemë do të vijojë të jetë funksionale edhe përgjatë vitit 2026”, deklaroi Malaj.
Ministri shtoi edhe se në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë u miratua një linjë kredie prej rreth 250 milionë euro, e cila do të përdoret për financimin me kredi të buta me norma interesi deri në 3% për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Po ashtu, tha ai, gjatë vitit 2025 u krijua shoqëria shtetërore “Albtrace” për ofrimin e shërbimeve të pullave fiskale dhe markimin e karburanteve, shërbime që më parë realizoheshin përmes kontratave koncesionare.
“Sipas parashikimeve, nga kjo nismë pritet të gjenerohen rreth 10 milionë euro të ardhura në vit për buxhetin e shtetit”, deklaroi Malaj.
Më tej, ministri informoi se në fund të vitit 2025 u themelua edhe Banka Shqiptare e Zhvillimit, sipas modelit të “Casa Depositi e Prestiti”, një institucion financiar që synon të mbështesë sektorë të nënfinancuar të ekonomisë, si dhe projekte strategjike të qeverisë me natyrë ekonomike dhe sociale.
Sa i përket prioriteteve për vitin 2026, Malaj veçoi projektligjin “Për sigurimin e detyrueshëm nga tërmeti”, skemën e sigurimit në bujqësi për produktet bujqësore në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe angazhimin për përafrimin e plotë të legjislacionit tatimor dhe doganor me direktivat e Bashkimit Evropian.
“Brenda vitit synohet gjithashtu marrja e akreditimit dhe zbatimi i Programit IPARD III”, deklaroi ai.
Ministri theksoi se viti 2026 do të jetë viti i Inteligjencës Artificiale në administratën fiskale, duke paralajmëruar zgjerimin dhe thellimin e implementimit të moduleve të AI në tatime dhe dogana, me synim rritjen e të ardhurave, uljen e informalitetit dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve dhe biznesit.
/a.f/