Rama: Shoqata e Prokurorëve ende e paregjistruar te Tatimet

TIRANË, 4 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama reagoi sërish sot ndaj Shoqatës së Prokurorëve, duke sqaruar se kjo shoqatë nuk ka përfunduar ende procedurat e plota të regjistrimit, pasi nuk është regjistruar në organet tatimore.
Në një reagim në platformën X, Rama theksoi se nuk ka deklaruar se shoqata nuk është regjistruar në gjykatë, por se ajo mbetet ende e paregjistruar në kuptimin e plotë ligjor.
Ai sqaroi se regjistrimi i një shoqate nuk përfundon vetëm me vendimin e gjykatës, por kërkon edhe regjistrimin pranë administratës tatimore, proces që sipas tij ende nuk ka ndodhur.
“Një zëdhënës/e vullnetar/e i/e shoqatës së prokurorëve paska thënë se shoqata e re qenkej e regjistruar në gjykatë dhe unë paskesha gënjyer, po në fakt unë nuk shkruajta që s’janë regjistruar në gjykatë”, shkruan Rama në platformën X.
“Unë shkruajta: janë ende të paregjistruar, por janë brenda afatit – pra s’pata qëllim ta thumboj, po thjesht të ilustroj moshën fare të njomë të shoqatës, ndërkohë që dihet botërisht se regjistrimi i një shoqate nuk mbyllet me gjykatën, po duhet bërë edhe tek Tatimet, gjë që ende s’ka ndodhur”, thekson Rama.
Por, shton Kryeministri, “halli me zëdhënësit vullnetarë është se e kanë zellin më të madh se sa zëdhënësit institucionalë, ndërkohë që informacionin e kanë si rregull gjysmak, çka i bën lajmës të nxituar të gjysëm të vërtetave, të cilat janë edhe gënjeshtrat më të mëdha”.
/gj.m/a.f/r.e/