Rama: Shqipëria 2030 në BE, vendi për të cilin ne të gjithë do të jemi krenarë

TIRANË, 12 qershor/ATSH/ Kryetari i Partisë Socialiste, njëheraz Kryeministri Edi Rama u ndal gjatë fjalës së mbajtur në aktivitetin e 35-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste, mbajtur pasditen e sotme në sheshin “Italia” në kryeqytet tek investimi i planifikuar në Zvërnec dhe kundërshtitë që ka hasur.
Rama theksoi se me këtë investim vendi është futur në territorin e një konkurrence të ashpër duke iu referuar reagimeve.
“Si shpjegohet që është hedhur përpjetë gjithë dynjaja që ka të bëjë me turizmin në Greqi? Si shpjegohet kjo? Jo qeveria greke, jo politika greke, gjithë dynjaja sepse jemi futur në territorin e një konkurrence të ashpër dhe një konkurrence me ata që kanë vite që e zotërojnë këtë treg”, tha Rama.
Kryeministri shtoi se vendi ka një zgjedhje shumë të qartë. “O do pranojmë që do të rrimë mbrapa, o do të vendosim që do të ecim për të kaluar në ligën e tyre përfundimisht”, tha ai.
“O do pranojmë që ndërkohë që Greqia, Mali i Zi, Kroacia, Sllovenia dhe të tjerët patjetër do t’i ofrojnë mikpritje dhe do t’ju marrin lekët atyre që janë më të pasur, ndërsa ne do jemi vendi ku do vijnë me bukë me vete turistët ose do vendosim që ne do të bëhemi për këtë zonë siç është Dubai në kuptimin e atraksionit për Lidhjen e Mesme. Jo në kuptimin e formës, por të atraksionit”, vijoi Kryeministri.
“Si do bëjmë ne? Për herë të parë një kompani që ka hotelin më të famshëm të botës, i cili është vendosur në Dubai, ka pranuar të konsiderojë kërkesën për të ardhur në Europë dhe ka pranuar të vijë në Zvërnec. Do t’i themi “jo, mos hajde ti, mos hajde ti se ne kemi frikë, ne kemi frikë të ëndërrojmë, ne kemi frikë të zhvillohemi, ne kemi frikë të rritemi, ne kemi frikë ta pasurojmë popullit tonë”. Po me çfarë do ta bëjnë mirëqenien këta patriotët që nuk shesin Shqipërinë demek, me çfarë?”, theksoi Rama.
“Do shesin flamuj? Do shesin qeleshe? Do shesin çifteli? Çfarë do shesin këta? Apo do shesin shqiponja?”, tha ai.
Rama përfundoi duke iu thënë të pranishmëve se “ne jemi Partia Socialiste!”
“Taksirati, taksirati i të qenit i madh është që duhet të përballesh me të gjitha erërat, me të gjitha stuhitë, me të gjitha dallgët, me të gjitha pengesat dhe ne jemi bërë shumë të mëdhenj, jemi bërë shumë të fortë, jeni bërë shumë të pathyeshëm për të na pranuar kështu siç jemi. Por përgjigja jonë është “ne jemi këta që jemi. Nuk kemi ndërmend të bëhemi ata që nuk i duhen dreqit”, tha Kryeministri.
“Ne jemi këtu për Shqipërinë dhe Shqipëria e 2030-ës do të jetë në Bashkimin Europian. Shqipëria 2030-ës do të jetë vendi për të cilin ne të gjithë do të jemi krenarë”, theksoi ai.
“Ju falënderoj shumë dhe mos e harroni asnjëherë: jini ambicioz, ëndërroni, guxoni, besoni dhe vazhdoni përpara të gjithë së bashku, sepse është një popull i tërë që na ka zgjedhur për t’u udhëhequr, jo për të ndjekur mbrapa të tjerët dhe ne do të udhëheqim!”, mbylli fjalimin Rama.