E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama në 35-vjetorin e PS: Shqipëria është një amanet i shenjtë, i kemi ngritur kokën vendit

TIRANË, 12 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, deklaroi sot se Shqipëria është një “amanet i shenjtë” dhe se Partia Socialiste ka kontribuar në ngritjen e vendit dhe dinjitetit të qytetarëve shqiptarë.

Në fjalën e tij me rastin e 35-vjetorit të krijimit të Partisë Socialiste, Rama vlerësoi rrugëtimin e forcës politike që drejton, duke theksuar përgjegjësinë e saj historike dhe politike.

“Flamuri i ngritur në Vlorë nga plaku legjendar i Pavarësisë nuk ka qenë më kurrë as një çarçaf patriotizmi të shtirur, as një tortë për t’u ofruar, në vend të reformave shtetndërtuese, por për ne, për mua Shqipëria është një amanet i shenjtë në sytë, në mendjen dhe në zemrën time”, deklaroi Rama.

Ai shtoi se ndjehet krenar përpara mbështetësve, kritikëve dhe atyre që nuk e kanë besuar në drejtimin e Partisë Socialiste.

“Prandaj jam krenar sot në këtë përvjetor përballë të gjithëve ju, qoftë përballë atyre që më besuan kur mora drejtimin e kësaj partie të madhe, qoftë përballë atyre që ishin në të drejtën e tyre të mos besonin si njeriun e duhur në krye të kësaj familje politike, dhe qoftë përballë atyre që kishin të drejtën e tyre të më luftonin si njerëz të së njëjtës familje”, u shpreh kryeministri.

Rama kujtoi edhe figurat historike të Partisë Socialiste, përfshirë ish-kryetarin Fatos Nano.

“Jam krenar edhe përballë atyre që mungojnë sot, sepse nuk janë më mes nesh, ku dua të veçoj liderin historik të socialistëve Fatos Nanon”, tha ai.

Rama vuri në dukje se vlerësimi i tij publik për të mbetet i rëndësishëm në rrugëtimin politik.

“Krenaria e shprehur publikisht e të cilit për mua si pasardhës i tij pikërisht në vitet e fundit të jetës fatkeqësisht të shkurtër dhe pasi marrëdhënia jonë kaloi në faza dramatike kryesisht për të, mbetet për mua një vlerësim i veçantë. Ashtu sikundër sot, nuk mund të harroj këtu çdonjërin nga veteranët e luftës edhe ata nuk janë më me ne që i njoha fillimet e këtij misioni, që m’u bënë krah i fortë edhe pse më pritën fillimisht me këmbët e para”, deklaroi Rama.

Ai theksoi gjithashtu se nuk pretendon të ketë qenë i pagabueshëm gjatë drejtimit të tij.

“Nuk krenohem përpara jush dhe çdo anëtari të familjes sonë se kam bërë gjithçka mirë, se kam qenë i pagabueshëm apo se nuk i kam hyrë në hak askujt. Jo, nuk e kam bërë gjithçka mirë. Kam gabuar, jo një herë”, deklaroi Rama.

Në vijim, ai nënvizoi angazhimin e tij në drejtimin e vendit dhe përgjegjësinë që ndjen për detyrën publike.

“Ma kërkon detyra dhe ma imponon respekti që kam për të gjithë ata që ma kanë besuar këtë detyrë të lartë, për 4 mandate rresht që t’i ndjek punët e vendit në çdo drejtim, të drejtoj dhe të kuptoj problemet e njerëzve kudo dhe sido që ata i kanë dhe mbi të gjitha, t’i ndiej hallet dhe dhembjet e atyre që nuk ia dalin, por gjithashtu kjo rrugë ma ka provuar në mish, kockë dhe deri në palcë, në shpirt dhe në mendje, atë që një burrë i madh ka lënë shënim për të gjithë burrat në arenë, nuk ka rëndësi kritiku, njeriu që tregon me gisht sesi burri i fortë pengohet, apo se ku ai, që i bën gjërat mund t’i kishte bërë më mirë; merita i takon atij që është vetë në arenë, fytyra e të cilit është e shkarravitur nga pluhuri e nga djersa dhe gjaku; atij që guxon, që gabon dhe ngec përsëri e përsëri sepse nuk ka përpjekje pa gabime, apo ngecje; atij që i njeh entuziazmet e mëdha, përkushtimet e palëkundura, atij që e shpenzon veten për një kauzë të drejtë, i cili në rastin më të mirë përjeton në fund triumfin e një arritjeje të lartë apo në rastin më të keq, nëse dështon, të paktën dështon duke guxuar fort. Kësisoj vendi i tij nuk do të jetë kurrë mes atyre shpirtrave të ftohtë dhe frikacakë që nuk njohën as fitoren dhe as humbjen”, u shpreh Rama. /j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›