Rama: Shqipëria pranë anëtarësimit në BE, vlerësimi dhe mbështetja ndaj vendit janë maksimale

TIRANË, 7 qershor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se Samiti i Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor, i zhvilluar në Tivat, konfirmoi progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian dhe vlerësimin që vendi gëzon nga partnerët europianë.
Në podkastin “Flasim”, Rama u ndal fillimisht te vizita e tij në Tivat, duke kujtuar se kishte shmangur prej vitesh ta vizitonte këtë qytet.
“Në Tivat nuk kisha shkuar asnjëherë. U detyrova të shkoj se s’kisha për të shkuar pa bërë më parë portin turistik të Durrësit. Kështu e kisha ndarë në mendjen time. Një fiksim i palogjikshëm, por nganjëherë, siç tregojnë edhe këto rrëmujat e ditëve të fundit, logjika nuk është ajo që vendos gjithmonë. Vendosin edhe emocionet, vendos edhe, në një farë mënyre, budallallëku i njeriut dhe ishte një lloj budallallëku imi, për hir të së vërtetës, por ishte emocional që nuk doja të shkoja në Tivat, sepse nuk doja të shikoja Porto Montenegro-n”, tha Rama.
Kryeministri tha se Porto Montenegro përfaqëson një mundësi që sipas tij Shqipëria e humbi vite më parë.
“Nuk doja ta shikoja Porto Montenegro-n, sepse Porto Montenegro është një top që i ka kaluar për shalësh Shqipërisë dhe ka përfunduar në Mal të Zi, dhe historia e Malit të Zi është përcaktuar nga Porto Montenegro si një histori e një vendi turistik që nuk ka bujqësi, nuk ka fabrika, nuk ka prodhime të tjera, por ka një bukuri që e ka vënë në dispozicion të ekonomisë përmes investimeve të ekselencës”, u shpreh ai.
Sipas Ramës, ideatori i Porto Montenegro kishte pasur fillimisht synimin ta zhvillonte projektin në Durrës.
“Dhe ai që e ëndërroi dhe që e konceptoi Porto Montenegro-n, më parë se të shkonte atje si një top i shtyrë nga uji përmes shalëve që ishin të hapura thjesht dhe vetëm për të marrë përfitime babëzie duke e përdorur Shqipërinë si pronë, donte ta bënte në Durrës. Donte ta bënte në Durrës. Kishte bindjen që një port turistik pranë amfiteatrit më të madh që romakët kanë ndërtuar jashtë Romës do të ishte një histori e jashtëzakonshme suksesi”, tha ai.
Rama shtoi se largimi i investimit drejt Malit të Zi ndryshoi zhvillimin ekonomik të Tivatit dhe më pas të vetë Malit të Zi.
“Dhe u prit me sytë te xhepi dhe iu kërkua ‘xhixha’, kështu që iku në Mal të Zi, e ndërtoi Porto Montenegro-n dhe Tivati, nga një gji me rreth 10.000 banorë që ishte i vetmi gji që nuk frekuentohej nga turistët, sepse ishte një bazë ushtarake e Jugosllavisë me ujë të ndotur e kështu me radhë, u kthye në motorin më të madh ekonomik të Malit të Zi”, deklaroi kryeministri.
Sipas tij, pas Porto Montenegro-s pasuan investime të tjera të rëndësishme në vendin fqinj.
“Dhe Mali i Zi, që nga ai moment, pa shumë hajër sepse pasuan investime të tjera. One&Only, hoteli One&Only në Europë, është ndërtuar vetëm në Mal të Zi. Do të ishin në Shqipëri të gjitha këto, sikur ata që mos qofshin, domethënë, të mos i kishin lënë të kalonin kështu këto topa dhe sikur të kishin menduar për Shqipërinë dhe për të gjitha këto tema që flasim sot”, tha Rama.
Duke iu referuar samitit BE-Ballkani Perëndimor, Rama e cilësoi atë si një nga takimet më të rëndësishme të zhvilluara së fundmi.
“Gjithsesi, në Tivat unë shkova, nuk kisha çfarë bëja. Dhe më vjen shumë mirë të them që samiti ka qenë një samit mbase më interesanti nga pikëpamja e përgjithshme e shtyrjes së disa gjërave dhe e shtyrjes së çështjes së përshpejtimit të zgjerimit”, tha ai.
Kryeministri nënvizoi se Shqipëria u vlerësua si një vend pranë anëtarësimit në Bashkimin Europian.
“Ama, një gjë është pak a shumë e sigurt: Shqipëria u vlerësua si një vend që është pranë anëtarësimit. Shqipëria u vlerësua për të gjitha ato që ka bërë dhe si një vend që është pranë”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se Shqipëria ka fituar një pozicion më të fortë në dialogun me partnerët europianë.
“Ndërkohë që zëri ynë u dëgjua qartësisht përsëri. Unë i ngrita të gjitha ato për të cilat kam kohë që përpiqem edhe brenda atij rrethi, sepse një gjë e kemi arritur. Në atë rreth nuk ka më ‘kush jam unë e kush je ti’, siç ka qenë dikur. Të gjithë i dëgjojmë me respekt dhe na dëgjojnë me respekt”, deklaroi Rama.
Kryeministri shprehu optimizëm për ecurinë e mëtejshme të procesit të integrimit.
“Dhe unë kam shumë shpresë që do të kemi lajme shumë të mira shumë shpejt përsëri në atë aspekt dhe jam edhe më i bindur sot seç isha përpara këtij samiti, që ne do ta arrijmë atë që duam të arrijmë. Do ta arrijmë atë që duam të arrijmë”, tha ai.
Rama u ndal edhe te takimi me kancelarin gjerman Friedrich Merz, duke e cilësuar atë si një tregues të mbështetjes së fortë ndaj Shqipërisë.
“Dhe takimi me kancelarin Merz ishte provë absolute e faktit që vlerësimi është maksimal, mbështetja është maksimale dhe vetëm puna, puna, puna është ajo që nuk na e bëjnë dot as gjermanët, as italianët, as francezët, por duhet ta bëjmë vetë”, deklaroi Rama. /j.p/