Rama: Zgjedhjet i kemi fituar për të futur Shqipërinë në BE, të radhës në 2029-ën

TIRANË, 7 qershor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi se Vlora po shkon drejt një transformimi të mëtejshëm turistik dhe se deri në vitin 2030 synohet të kthehet në një nga destinacionet më të rëndësishme të Mesdheut.
Duke folur në aktivitetin për 35-vjetorin e Partisë Socialiste në Elbasan, Rama tha se investimet e realizuara ndër vite kanë ndryshuar ndjeshëm imazhin dhe potencialin e qytetit bregdetar.
“Ne e kemi thënë publikisht, do ta fusim Shqipërinë në 2030 në ligën e kampionëve të turizmit botëror”, deklaroi ai.
Kryeministri kujtoi gjendjen e Vlorës vite më parë, duke theksuar se investimet në infrastrukturë dhe zhvillimin urban kanë krijuar kushtet për një etapë të re zhvillimi.
“E morëm ashtu Vlorën ne dhe deri në 2030, falë atij investimi, Vlora do të bëhet bebja e syrit e turizmit mesdhetar”, u shpreh Rama.
Ai nënvizoi se zhvillimi i turizmit mbetet një nga prioritetet kryesore të qeverisë, krahas procesit të integrimit europian.
“Zgjedhjet ne i kemi fituar për të futur Shqipërinë në Bashkimin Europian. Zgjedhjet ne i kemi fituar për të mbyllur negociatat me Bashkimin Europian në fund të 2027. Zgjedhjet janë në 2029. Ndërkohë janë zgjedhjet vendore vitin e ardhshëm. Zgjedhjet ne i kemi fituar, dhe e kemi thënë publikisht, ne do bëjmë jo vetëm turizmin e destinacioneve fantastike, duke filluar nga Zvërneci dhe jo vetëm atë që kam nisur me Vlorën”, tha Rama.
Sipas Kryeministrit, investimet strategjike në turizëm dhe infrastrukturë do të ndikojnë në rritjen e ekonomisë, krijimin e vendeve të reja të punës dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve në të gjithë vendin.
/e.xh/j.p/r.e/