Rama: Shkodra, destinacion turistik që vetëm rritet vit pas viti

TIRANË, 8 qershor /ATSH/ Kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh Kryeministër, Edi Rama, deklaroi sot në 35-vjetorin e Partisë Socialiste në Shkodër se qyteti verilindor pas kaq shumë vitesh është bërë një destinacion turistik që vetëm rritet vit pas viti.
Duke folur për protestën në Tiranë dhe akuzat për shkatërrim, Rama iu referua shprehjeve në protestën për Zvërnecin për shkatërrim.
“Shkatërruam Shkodrën, që pas kaq shumë vitesh e mbetur si dele e zezë jashtë gjithë bashkësisë së qyteteve, po merr frymë dhe është bërë një destinacion turistik që vetëm rritet vit pas viti, si destinacion turistik dhe më pas sjell vit pas viti më shumë të ardhura për ata që kanë aktivitetin e tyre këtu?”, u shpreh Rama.
“Shkatërruam Vlorën apo shkatërruam Tiranën? Kë kemi shkatërruar ne? Shkatërruam rrugët që të çojnë në thellësi të maleve, apo u dhamë mundësi njerëzve në Malësi të Madhe, në Theth, në Valbonë dhe së fundmi në Lurë, që të jetojnë dhe të bëjnë të ardhura dhe të duan të kthehen gjithnjë e më shumë?”, tha Rama.
Rama foli edhe për kundërshtitë e protestuesve me “Paketën e Maleve”.
“Po me “Paketën e Maleve” çfarë kanë këta? Këtu jemi. Sa herë është thënë në Malësi të Madhe në të gjitha takimet: na zgjidhni çështjet e marrëdhënieve të investimit me pronën. Ne nuk e kemi njohur ligjin 7501, nuk e duam 7501. I kemi ndarë tokat sipas kufijve të vjetër. Kemi dakordësi me njëri-tjetrin, por nuk bëjmë dot investime, nuk marrim dot leje, as subvencione për të bërë një fermë apo çfarëdo tjetër, sepse nuk kemi letra të tokës. Dhe as nuk kemi shans t’u drejtohemi fondeve të BE-së apo bankave, sepse nuk na jep njeri kredi. Dhe ne e kemi zgjidhur këtë me paketën e maleve”, tha Rama.
“Ka nga ata që thonë se po vijnë oligarkët, se po mbrojmë Shqipërinë nga të huajt, se po e shpëtojmë Shqipërinë nga “Paketa e Maleve”. Por ata që thonë se emigrantët që duan të investojnë kursimet e tyre në zonat ku kanë pronat e stërgjyshërve, por nuk i kanë njohur sipas ligjit 7501, duhet ta harrojnë këtë mundësi, sepse nuk ka zgjidhje tjetër përveç se të futen tek 7501”, u shpreh Rama.
Rama bëri dhe krahasimin me Malin e Zi.
“Po ka kohë që Shqipëria të humbasë me këto broçkulla dhe pallavra. Si mund të humbasë kohë Shqipëria, kur ja ku e keni Malin e Zi? Kujtoni si ishte në vitin 1991 dhe shikojeni si është sot. Pse ne nuk jemi sot ashtu? Apo nuk duan të na lënë të jemi jo vetëm ashtu, por edhe më mirë, sepse duan të nxjerrin të huajt jashtë dhe ta bëjnë Shqipërinë një rezervat për blogerë dhe influencerë”, tha Rama.
/gj.m/j.p/