E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama për “Reuters”: Qeveria do të ecë përpara me projektet e turizmit, pavarësisht protestave

TIRANË, 8 qershor /ATSH/ – Shqipëria do të ecë përpara me projektin e resortit luksoz të planifikuar nga dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner, në një pjesë të izoluar të bregdetit ballkanik, pavarësisht protestave të vazhdueshme për ndikimin e tij në mjedis, tha sot për “Reuters” kryeministri Edi Rama.

Mijëra njerëz kanë dalë në rrugët e kryeqytetit të Tiranës dhe në bregdetin jugor, ku është propozuar ndërtimi i resortit, duke kërkuar anulimin e projektit, për shkak të ndikimit të tij në ligatinën e mbrojtur, që është habitat për flamingot, fokat dhe vendet e folezimit të breshkave të detit.

Flamingoja është shndërruar në një simbol të kësaj lëvizjeje, ku protestuesit janë shfaqur duke mbajtur flamingo rozë dhe pankarta me mbishkrimin “Revolucioni i Flamingos”.

Rama nuk është lëkundur nga këto kundërshtime, duke i thënë “Reuters” se hartuesit e projektit do t’i “mahnisin” vëzhguesit me planet e tyre, në muajt e ardhshëm dhe se disa pjesë të resortit mund të hapen për publikun, para fundit të kësaj dekade.

“Po ju them, do të jetë një projekt i bukur dhe ne do ta bëjmë atë, dhe do të jemi krenarë që po kontribuojmë për Evropën”, tha Rama gjatë një interviste në zyrën e tij, vetëm pak metra larg vendit – ku janë zhvilluar demonstrata të përnatshme kundër projektit.

“Unë jam votuar për t’i bërë këto gjëra realitet. Nuk jam votuar për t’u udhëhequr nga njerëz që kanë një ide tjetër se si duhet të zhvillohet vendi”, tha Rama.

Mijëra persona dolën në rrugët e Tiranës dje në mbrëmje, duke kërkuar ndalimin e projektit, por gjithashtu duke shprehur një sërë pakënaqësish ndaj 13 viteve të qeverisjes së Ramës, për të cilat thonë se nuk kanë arritur të çrrënjosin korrupsionin apo të përmirësojnë shërbimet bazë.

“Po bëhemi gjithnjë e më të shumtë dhe do të jemi këtu, derisa ai të japë dorëheqjen. Jo vetëm për biodiversitetin, por për çdo padrejtësi me të cilën përballemi”, tha studenti Albano Lushi.

Ëndrra të mëdha përballen me polemika

Rama, 61 vjeç, ish-basketbollist dhe artist, i cili mori detyrën në vitin 2013 dhe synon ta çojë Shqipërinë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, krenohet me modernizimin e vendit, që kishte mbetur për dekada, nën diktaturën komuniste shtypëse deri në vitet 1990.

Ai kultivon një stil joformal, me kostum të zi të gjerë, bluzë të zezë dhe atlete të bardha.

Zyra e tij i ngjan një hapësire moderne bashkëpunimi urban, me mure të zbukuruara nga pikturat e tij shumëngjyrëshe.

Nëpër tavolina gjenden pjata me lapsa me ngjyra dhe markera, ndërsa tavolina e punës është e mbushur me skica dhe vizatime.

Ndërtimi i resortit që ai mbështet, është ideuar nga Jared Kushner dhe bashkëshortja e tij, Ivanka Trump, të cilët kanë deklaruar se “u dashuruan” me Shqipërinë, disa vite më parë gjatë një vizite me jaht.

Rama i takoi ata gjatë asaj vizite, dhe tha se i ishin dukur njerëz shumë të këndshëm, të përulur… njerëzisht të mirë.

Tani, kompania e investimeve e Kushner, “Affinity Partners”, është e përfshirë në projektin më vlerë 1,4 miliardë euro, pranë zonës së mbrojtur të Vjosë-Nartës, si edhe në një tjetër projekt në Ishullin e Sazanit.

“Së bashku, këto projekte kanë një vlerë deri në 5 miliardë euro”, tha Rama.

“Është një ëndërr e madhe dhe ëndrrat e mëdha gjithmonë janë përballur me polemika”, shtoi ai.

Kompania ndërtuese e projektit, “Zhvillimi i Pasurive të Patundshme në Sazan – LLC”, i tha “Reuters” se do ta realizojë projektin në mënyrë të përgjegjshme.

Rama premton mbrojtjen e jetës së egër

Protestat nisën në fund të majit, kur zona pranë lagunës Vjosë-Nartë u rrethua me gardh me tela me gjemba, mes punimeve në një rrugë hyrëse dhe zhvillimeve të tjera para ndërtimit.

Disa protestues u plagosën gjatë përplasjeve me rojet private të sigurisë. Zemërimi më pas u përhap edhe në Tiranë.

Gardhi është hequr që atëherë. Rama pranoi se vendosja e tij ishte një “ide e turpshme”.

Megjithatë, ai minimizoi shqetësimet mjedisore. Sipas tij, vlerësimi i ndikimit në mjedis ende nuk është përfunduar dhe do të realizohet paralelisht me zhvillimin e projektit.

“Ne jemi shumë krenarë për atë që kemi bërë për jetën e egër në Shqipëri. Komisioni Evropian nuk ka asnjë arsye, të dyshojë në vullnetin tonë të palëkundur, për të mbrojtur gjithçka që duhet të mbrohet, kur bëhet fjalë për jetën e egër dhe natyrën”, tha Rama.  //a.i/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›