E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Të nxjerrim nga kutitë e votimit një shumicë popullore, për t’u ulur në sofrën e BE-së

TIRANË, 19 prill/ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama deklaroi sot se “duhet të bashkohemi të gjithë si shqiptarë dhe t’i japim një mesazh shumë të qartë të gjithë vendeve të Europës, duke nxjerrë nga kutitë e votimit një shumicë popullore që i thotë Europës: duam të ulemi tani në sofrën e përbashkët të BE-së”.

Në fjalën e tij gjatë një takimi elektoral me qytetarë të Maliqit, Rama tha se “e kemi bërë si zakon që takimin e parë në çdo vrap drejt finisht ta bëjmë në Maliq, për të marrë energjinë e madhe pozitive që ka në këtë stacion dhe në këtë bastion të palëkundur të PS-së”.

“Sot unë kam ardhur këtu për të folur për një punë shumë të madhe, shumë të veçantë, që një individi dhe populli i bie rrallëherë që t’i kryejë, dhe kjo është puna e madhe e 11 majit që përtej tifozllëkut partiak, na duhet të bashkohemi të gjithë si shqiptarë dhe duke u bashkuar t’i japim një mbështetje shumë të fuqishme negociatave me Bashkimin Europian”, theksoi Rama.

Më besoni, vijoi Rama, se kush thotë se Europa është aty dhe se në të gjitha rastet do të bëhemi pjesë e saj, sepse kjo na ka lidhje se kush fiton dhe nuk fiton, këtu thjesht dhe vetëm ose nuk kupton se çfarë thotë, ose ju thotë diçka që nuk është e vërtetë.

“E vërteta është se sot për arsye që nuk kanë të bëjnë vetëm me ne por që kanë të bëjnë edhe me Europën për herë të parë që kur ne kemi dalë nga ferri i komunizmit janë përputhur dëshirat e është përputhur vullneti në një moment: jo vetëm ne duam të hyjmë në BE, por edhe BE-ja do të na marrë brenda”, tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “natyrisht që ne kemi bërë të gjithë punën tonë për të qenë gati për këtë moment duke e ditur shumë mirë se historia e anëtarësimeve të reja është një histori nuk lidhet thjesht me sa ka bërë ky vend që do të anëtarësohet, por sa e gatshme është Europa dhe vendet e BE-së të hapin derën”.

“Për këtë arsye kur na refuzonin, edhe pse Komisioni Evropian thoshte që Shqipëria duhet t’i hapte negociatat. Dilte një vend këtu, një atje, për interesat e tyre, për punët e tyre – jo se e ishin kundër nesh, por nuk donin të hapnin derën – ne vazhdonim punën. Unë e  përsërisja se duhet të sillemi njësoj sikur i kemi hapur negociatat dhe në momentin kur dera do të hapet ne do të jemi gati. Ama, hapja e derës sot ka ardhur si rezultat i faktit që ne jemi gati, por edhe ata për arsye që janë edhe jashtë nesh: për arsye të turbullirave të kohës të luftës që është në kufijtë e Europës; për arsye të nevojës për të forcuar Europën, duan të japin një mesazh për gjithë botën që Europa po zgjerohet, po rritet në numër, unifikohet, forcohet ndaj ylli i fatit tonë europian dhe ylli i fatit të Europës janë rreshtuar bashkë.

Rama vuri në dukje se “në këtë moment duhet të bëjmë pjesën tonë, ata vërtetë e kanë hapur derën, por që ne të kapërcejmë pragun dhe të hyjmë në sallonin kryesor duhet të bëjmë detyrat tona, të mbyllim negociatat. Kaq shumë ata duan që kjo gjë të ndodhë, sa na kanë dhënë një plan në tavolinë për t’i mbyllur negociatat në vetëm 3 vjet, nga 2024-2027. Edhe dy vjet kohë ka”.

Kryeministri Rama tha se negociatat zhvillohen mes dy palësh janë rreth 1 mijë vetë nga ana jonë dhe 1 mijë vetë nga ana e tyre që merren me negociatat, për ta kuptuar se çfarë volumi pune është, se duhet negociuar dhe duhet bërë marrëveshje që të jemi gati të hyjmë që Europa të thotë: “Këta janë gati të na bashkohen”, duke pasur dakordësi për të gjitha pikat që nga mjedisi, tek bujqësia, peshkimi, zogjtë, ujërat, përpunimi i mbetjeve, ekonomia, komponentët e shtetit dhe natyrisht tek shtetit i së drejtës, institucionet e pavaruara, drejtësia e pavarur e kështu me radhë”.

“Është punë shumë voluminoze. Edhe sot që është ditë pushimi një pjesë e grupit negociator nga ana jonë është në punë se volumi është i jashtëzakonshëm. Negociohet për mbi 215 mijë fletë të shkruara, që të gjitha janë tema, çështje, pika me të cilat ne duhet të merremi përditë, pa orar”, tha Rama.

Rama takim elektoral në Maliq 1 nga 6

/k.s/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›