E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rinas – Dy turq të arrestuar për falsifikim dokumentesh

TIRANË, 21 qershor/ATSH/ Policia Kufitare e Rinasit, në bashkëpunim me Seksionin e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Rinas, ka goditur një rast të tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit me dokumente të falsifikuara, duke arrestuar në flagrancë dy shtetas me kombësi turke.

Të ndaluarit janë shtetasit H. K., 29 vjeç dhe A. H., 21 vjeç, të cilët akuzohen për veprat penale: “Falsifikimi i letërnjoftimeve, pasaportave ose vizave”, “Falsifikimi i dokumenteve”, të kryera në bashkëpunim, dhe “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit”.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrollit në dalje të pikës kufitare Rinas, shtetasi H. K., që udhëtonte në itinerarin Tiranë–Luton, paraqiti një pasaportë greke të dyshuar si të falsifikuar. Të dy personat u shoqëruan menjëherë në vijën e dytë për verifikime të mëtejshme.

Gjatë kontrollit fizik dhe të bagazheve, shërbimet e Policisë i gjetën H. K. një kartë identiteti greke dhe një leje drejtimi greke, të cilat, së bashku me pasaportën e paraqitur, rezultuan të falsifikuara. Ndërkohë, në çantën e A. H. u gjet një pasaportë turke me të dhënat e H. K., që pas verifikimit rezultoi dokument i rregullt, si dhe një pasaportë greke, një kartë identiteti greke dhe një leje drejtimi greke me të dhënat e një shtetasi tjetër (Y. Y.), të cilat gjithashtu rezultuan të falsifikuara.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për vijimin e procedurave ligjore.

Policia Kufitare Rinas thekson se do të vijojë me kontrolle të shtuara për të garantuar sigurinë e kufijve, lëvizjen e lirë të qytetarëve, dhe parandalimin e çdo tentative të paligjshme, veçanërisht gjatë sezonit turistik.

/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›