E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Trashëguam më shumë se 700 milionë euro borxh, Sudja e Xhaferri mund të ishin përsëritur po të mos qeveriste PS

TIRANË, 29 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama zhvilloi sot një takim takim elektoral me gratë dhe vajzat në Roskovec, qarku Fier.

Gjatë fjalës së tij Rama foli me shifra për të gjitha ndryshimet që kanë ndodhur përgjatë qeverisjes së Partisë Socialiste, duke bërë një krahasim me vitin 2013. Rama tha se prodhimi i përgjithshëm bruto në vitin 2013 ishte 10 miliardë euro ndërsa sot është 25 miliardë euro dhe shtoi se objektiv për Shqipërinë 2030 është 35 miliardë euro.

“I dëgjoni kukumjaçkat e kënetës kur thonë së gjërat kanë shkuar keq, ku këtu është koha për shpëtim se nga të katër anët ka vetëm keq. Shikoni prodhimin e përgjithshëm bruto, ishte më pak se 10 miliardë euro, ndërsa vlera që ka krijuar Shqipëria në vitin 2024 është 25 miliardë euro dhe 35 miliardë euro është plani ynë për Shqipërinë 2030”, tha Rama.

“Kur ne e morëm detyrën ishim vrima e fundit e kavallit, ishim vagoni i fundit i Ballkanit, shikoni sot kjo është mesatarja e rritjes së prodhimit të përgjithshëm në rajon me 64.9% dhe 109.6% në Shqipëri”, shtoi Rama.

I ndalur tek të ardhurat për frymë, Rama tha se “kur morëm detyrën të ardhurat për frymë ishin 3300 euro, sot janë 10500 euro dhe në Shqipërinë 2030 synojmë të jenë të 15000 euro”.

Sa i përket borxhit publik, Rama tha se “në trashëguam më shumë se 700 milionë euro borxh të cilat i shqyem një e nga një. Jo vetëm sot nuk kemi borxh ndaj asnjë kompanie, por e kemi ulur borxhin publik të Shqipërisë në 54 %”.

Për sa i përket kredive të këqija Rama tha se “25% ishin kredi të këqija, drita e kuqe e alarmit për stabilitetin financiar të vendit dhe për rrezikun e rënies së bankave. Piramidat e Sudes dhe të Xhaferrit ishin një eveniment që mund të ishte përsëritur në një formë tjetër nëse në 2013 me votë shqiptarët nuk do të kishin vendosur t’i jepnin Shqipërisë një drejtim tjetër duke na dhënë ne besimin. Nga 24.8% sot janë ulur në 4.2%”.

Duke u ndalur tek inflacioni Rama u shpreh se “rritja e çmimeve është problem në të gjithë Evropën e në gjithë botën. Nëse shohim rritjen e çmimeve në gjithë rajonin kemi arritur ta mbajmë inflacionin më në kontroll se gjithë të tjerët. Një nga arsyet e rritjes së çmimeve është energjia, rritja e çmimit të energjisë. Kalimi i bazës së tregut mbi konsumatorët. Në Shqipëri jo vetëm që nuk është rritur por është i vetmi vend në rajon që e ka ulur çmimin  energjisë dhe nuk e ka ulur pak por 10.5%”.

Për sa i përket përqindjes së popullsisë në rrezik për të rënë në varfëri, Rama tha se “jo vetëm që shqiptarët sot nuk janë më të varfër, por rreziku i rënies në varfëri është më i ulët seç ishte”. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›