E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: “Varrezat e makinave” transformohen në projekte për komunitetin


TIRANË, 20 shtator/ATSH/ “Varrezat e  makinave” të krijuara nga automjetet e sekuestruara nga autoritetet, që për dekada ishin shndërruar në vatra ndotjeje nëpër bashkitë e vendit, do të transformohen në hapësira të gjelbra dhe projekte të dobishme për komunitetin.

Kryeministri Edi Rama teksa ndau pamje nga varrezat e “provave” në Vlorë, bëri të ditur sot se falë angazhimit të Agjencisë së Aseteve të Sekuestruara po i jepet fund grumbullimit të automjeteve të sekuestruara ndër vite, të cilat për më shumë se tre dekada ishin shndërruar në “depo të ndryshkut” dhe mbeturinave, duke zënë hapësira publike në qendrat e qarqeve.

“Më në fund, falë angazhimit të Agjencisë së Aseteve të Sekuestruara, i erdhi fundi edhe varrezave të “provave” që e nxinë jetën dhe nuk kishte zot që i shkulte nga kthetrat e burokracisë, duke grumbulluar për 30 e kusur vite në çdo bashki qendër qarku të Shqipërisë sasira të frikshme teneqerash e ndryshqesh; vatra ndotjeje të madhe që do t’ia lenë vendin gjelbërimit a projekteve të dobishme për komunitetin. Shikojeni ç’bëhet me varrezën e “provave” në Vlorën turistike”, u shpreh Rama në një postim në rrjetet sociale.

Ai bëri të ditur se automjetet ende të përdorshme do t’i kalojnë institucioneve shtetërore, duke i kthyer në funksion për shërbimin publik, ndërsa pjesa tjetër do të rikuperohet sipas ligjit.

/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›