Rama: Vazhdon pa pushim aksioni për lirimin e hapësirave publike

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Aksioni për lirimin e hapësirave publike nga subjektet që kanë zaptuar trotuaret dhe ambientet e dedikuara për komunitetin dhe qytetarët, vazhdon në të gjithë vendin.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga lirimi i hapësirave publike në një subjekt privat, ndërsa u shpreh se aksioni vijon pa pushim.
“Vazhdojmë, pa pushim. Dhe u lutemi komentatorëve që brenda mundësive të bëjnë ca durim, por edhe po s’mundën i përshëndesim me mirëkuptim”, shkruan Rama.
Lirimi i hapësirave publike shihet si pjesë e vizionit të qeverisë “Rilindja Urbane 2.0”.
Aksioni është i domosdoshëm për rritjen e cilësisë së shërbimeve, por edhe funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.
Aksion ka nisur në fillim të muajit korrik dhe do të vijojë të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror në mbrojtje të cilësisë së jetës në komunitet.
/m.m/j.p/