E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Vetoja nuk është evropiane, shqiptarët janë sot më mirë se kurrë

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, zhvilloi një bashkëbisedim me të rinj në kuadër të aktivitetit “RinCamp 2026”, që po mbahet në Jalë.

Gjatë një bashkëbisedimi, Rama iu përgjigj pyetjes së një studenti nga Shkupi, i cili e pyeti nëse Shqipëria do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, a do t’i vendoste veto Maqedonisë së Veriut për të garantuar të drejtat e shqiptarëve atje.

Kreu i qeverisë tha se Shqipëria nuk do të përdorë të drejtën e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut në procesin e integrimit evropian, edhe nëse bëhet anëtare e Bashkimit Evropian.

Kryeministri theksoi se ka qenë gjithmonë kundër përdorimit të vetos në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke e cilësuar atë si një mekanizëm që pengon integrimin dhe nuk i shërben askujt.

“Shqipëria nuk ka veto për t’i vënë askujt dhe askund. Shqipëria ka të gjithë interesin që punët në RMV të shkojnë fjollë sa më mirë, Shqipëria ka gjithë interesin që marrëdhëniet mes dy popujve shteformues të Maqedonisë së Veriut, që janë shqiptarët dhe maqedonasit të jenë marrëdhënie vëllazërore dhe të kenë marrëdhënie të një bashkëjetesë harmonike. Janë bërë përparime të mëdha. Demokracia nuk është një shëtitje në një rrugë të shtruar bulevardi por është një rrugë që ka kthesa. Ka ngjitje, ka momente vështirësish por sa na takon ne, ne duam më të mirën për Republikën e Maqedonisë së Veriut. Unë kam qenë gjithmonë i mendimit se vetot në proces nuk i shërbejnë askujt. Janë pengmarrje dhe janë në thelb jokonstruktive dhe jo dobiprurëse për të afruar vendet me BE-në. Të vendosësh veto rrugës të hapen negociatat mos të hapen, të hidhet ky hap, nuk është evropiane”, tha Rama.

Rama tha se prej kohësh është angazhuar për një qasje të re të Bashkimit Evropian ndaj vendeve aspirante, duke vlerësuar se ato duhet të përfshihen më herët në vendimmarrjen evropiane.

“Unë jam i angazhuar prej kohësh për të nxitur një qasje tjetër të BE-së ndaj vendeve ende joanëtare. Ka nisur një proces ndryshimesh në këtë drejtim me Planin e ri të Rritjes, me diskutimet që janë në vazhdim. Unë besoj që vendet jo anëtare duhet të ulen në tryezën e BE-së. Politikisht Evropa duhet të bashkohet tani, pastaj çdo vend duhet të bëj detyrën e vet”, tha Rama.

Duke folur për pozitën e shqiptarëve në rajon, Rama u shpreh se ata ndodhen sot në një situatë më të mirë se në çdo periudhë tjetër të historisë së tyre dhe bëri thirrje që ky progres të ruhet.

“Ne nuk jemi një vend që mund të bëjë çfarë të dojë dhe si të dojë kur vjen puna tek gjëra që janë të lidhura me harmoninë e brendshme të familjes evropiane. E kanë bërë bullgarët, dhe e bënë kur ishin anëtarë të BE-së. U bë një pasaportë e fortë. Sot jetoni në një situatë krejt tjetër nga çfarë ka qenë një dekadë apo dy dekada më parë. Shqiptarët janë sot më mirë se ç’kanë qenë ndonjëherë në historinë e tyre. Këto gjëra duhen ruajtur”, tha Rama.

“Shqiptarët duhet që të bëjnë shumë kujdes që mos ta bëjnë si lopa që i bie me shqelm qumështit që është mbledhur me sakrifica, me shumë përpjekje në të treja territoret kryesore, në dy shtete tona dhe në RMV ku jemi popullsi shtetformuese. Nuk jemi ne që duhet të kapim daullet e nacionalizmave. Ne duhet të jemi mirënjohës për ata që kanë dhënë kontribut dhe duhet të vazhdojmë të shohim përpara që të jemi qengji i butë që pi dy nëna e jo dhitë që nuk i do njeri as te kodra mbrapa shtëpisë”, tha Rama.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›