E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Votoni për Shqipërinë 2030 në BE, siҫ votuan shumica e shqiptarëve për PD-në në 92-in

TIRANË, 21 prill /ATSH/  Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama zhvilloi sot një takim me gratë e vajzat e Kavajës.

Në fjalën e tij, Rama u shpreh se ashtu siҫ shqiptarët votuan masivisht Partinë Demokratike në 1992-in për të bërë ndarjen me historinë e të shkuarës, ashtu edhe në 11 maj duhet të votojnë Partinë Socialiste për të ҫuar vendin në Bashkimin Evropian.

“Duke votuar për Shqipërinë 2030 në BE, siҫ votuan shumica e shqiptarëve PD-në në 92-in, në mars kur nuk ishin të gjithë me PD-në, por e votuan sepse donin të ndanin përfundimisht historinë e Shqipërisë mes të shkuarës të mbyllnin përfundimisht kapakun e sistemit të së shkuarës dhe të ardhmes duke përqafuar masivisht sistemin e të ardhmes, kështu dhe në 11 maj shqiptarët do të duhet të votojnë masivisht për të vendosur që ky vend të mos ndalet asnjë ditë në vazhdimin intensiv të negociatave për anëtarësim me BE që mund t’i mbyllim brenda 2027-ës, siҫ kemi rënë dakord dhe të futemi në BE”, u shpreh Rama.

Dhe nga ana tjetër, shtoi Rama, “për demokratët, këta të Kavajës, me të cilët u tall bufi i kënetës, duke bërë këtë për veten e tyre, për familjen e tyre, se pasaportën evropiane do ta marrin të gjithë, s’është për socialistët ajo. E kuqe është se kështu është flamuri ynë, nuk është blu, por ama ka brenda edhe flamurin blu të BE-së dhe nga ana tjetër i japin një mesazh shumë të qartë bufit dhe kënetës, duke vendosur një gur për të rindërtuar atë parti që sot s’është më parti. Ҫfarë partie është?”, tha Rama.

“Prandaj unë them që kush shkon atje, kush mendon që midis Evropës dhe kënetës duhet të rrijë në kënetë, është ҫyryk. Mund të jetë shumë në rregull në të gjithë gjërat e tjera por politikisht është komplet ҫyryk”, theksoi Rama.

“Për ҫfarë, kur ne sot na ka ardhur zogu i fatit evropian të këtij kombi dhe të këtij vendi në dorë, sepse janë përputhur ylli i fatit tonë me yllin e fatit të BE-së. Se ne kemi bërë patjetër detyrat tona dhe kemi bërë punën tonë që të gjendemi gati, por ama ata sot janë në një pikë ku e kanë hapur derën, jo se ne jemi më të bukurit, por sepse ata kanë nevojë për të shtuar radhët dhe për të dhënë mesazh për të gjithë botën se BE po zgjerohet dhe po forcohet dhe këtu janë përputhur të dyja”, u shpreh Rama.

Dhe kjo derë e hapur, shtoi Rama, “siҫ ka treguar historia e zgjerimit të BE-së, nuk është një derë që do rrijë hapur atje, do na presë ne që të zgjidhim ne dilemën e madhe me Evropën apo me gropën, me BE-në apo me bufin. Është e hapur si një mundësi tani, siҫ ka ndodhur në të shkuarën. Dera e BE-së është hapur, janë futur vende, është mbyllur prapë”.

Rama solli shembullin e Mali të Zi, që i ka hapur negociatat në 2012-ën dhe ende s’është në BE apo Serbisë që i ka nisur negociatat në 2014-ën dhe nuk është në BE.

“Sot ne që i shikonim Malin e Zi dhe Serbinë nga larg jemi në të njëjtin pozicion me Malin e Zi tek pragu i derës dhe Serbinë e kemi lënë mbrapa”, tha Rama.

“Historia e zgjerimit është kjo, ata e hapin derën kur kanë edhe ata interesin e tyre, jo thjesht kur je ti. Ne gati kemi qenë për t’i hapur negociatat ka 4-5 vjet. Por ju e mbani mend Komisioni Evropian thoshte këta ja gati, dhe KE e bën vlerësimin, mblidheshin politikanët dhe thoshin “jo” dhe dilte Holanda, dilte një vend tjetër , ndërkohë që kishin hallet e tyre, interesat e tyre. Dhe është normal fare, se në atë shtëpi nuk futesh dot nëse vetëm njëri thotë jo nuk e dua, duhet të jenë të gjithë dakord. Dhe sot e kanë hapur derën sepse bota është në turbullirë. Sot BE-ja po flet për riarmatosje. Sot BE-ja po flet për siguri”, tha Rama.

“Si do rrimë ne, do rrimë jashtë kësaj historie ne, ndërkohë që na ka arhdur në dorë kjo punë, e kemi ne në dorë shqiptarët? Prandaj them që njësoj siҫ bënë shqiptarët me PD-në në 92-in që votuan masivisht në mars, po aq e vërtetë është kjo sa nuk ishin të gjithë me të sa në gusht a kur ishte në fund të verës kur u bënë zgjedhjet vendore shumica e votuan kundër, por ama e kishin bërë zgjedhjen historike, e kishin mbyllur raportin me historinë. Po kështu në 11 maj është koha e duhur, është vendi i duhur dhe është PS në kohën dhe në vendin e duhur”, theksoi Rama. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›