Rama: Zvërneci u bë kërthiza e botës. Shqipëria përfshihet nga një “stuhi digjitale” me jehonë ndërkombëtare

Kryeministri Edi Rama, ka mbledhur sot (20 qershor), Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste në Pallatin e Brigadave, ku ka folur për zhvillimet e fundit që, sipas tij, kanë përfshirë vendin në një “ciklon digjital” gjatë 20 ditëve të fundit.
Në deklaratën për mediat, Rama tha se Shqipëria është bërë pjesë e një vale të madhe diskutimesh në hapësirën online, ku janë përfshirë qytetarë, aktorë politikë, organizata vendase e të huaja, si edhe faktorë ndërkombëtarë.
“Prej 20 ditësh Shqipëria u kthye në syrin e një cikloni digjital, një vorbull shumëfish më e madhe se sa vet përmasa e vendit tonë e cila përfshiu bashkëqytetarët tanë, të reja të rinj, familjare, patriot digjital, punonjës bankash, delirant me qeleshe, njerëz nga çdo anë e botës, organizata vendase dhe të huaja, parti politike ne Europe dhe ne SHBA, aktorë të biznesit dhe turizmit në rajon dhe aktorë shtetëror malinj ndaj Republikës së Shqipërisë. Natyrisht edhe karavidhet opozitare të vendit tonë. Një grumbullim i hatashëm gjërash që as janë njësoj dhe as janë bashkë po u mblodhën bashkë në një prurje që nxorri në bregun e të gjithë atij oqeani virtual deri dhe dhëmbë të atyre që e kalëruan këtë parti sa mundën dhe kur ranë nga kali filluan ti blenë në shopingjet majë kali”, u shpreh Rama.
Ai e përshkroi këtë situatë si një “vorbull virtuale” që ka tejkaluar kufijtë e vendit dhe ka bashkuar, sipas tij, aktorë shumë të ndryshëm në një debat të vetëm digjital.
“Befas Zverneci u bë kërthiza e botës ku po vendosej fati i ngrohjes globale bulevardi i Tiranës u bë sheshi ku qindra mijëra njerëz sipas vet senatorit Berni Sanders ju turrën oligarkisë botërore dhe bota shqiptare u njësua me histerinë e kanaleve sociale duke bashkuar në një armatë të vetme çlirimtarë zogjtë më elegant të botës, flamengot me fundin e kazanit digjital bullistët e terrorit online. Unë e di që mund të zhgënjej shumë këtu brenda me këndvështrimin tim por e vërteta është se cikloni i këtyre 20 ditëve nuk është interesant për atë që thotë mbi qeverisjen e Shqipërisë sot”, tha ai.
Rama u shpreh se fenomeni nuk ka aq rëndësi për qeverisjen e përditshme, sa ka për të kuptuar kohën e re dhe sfidat që vijnë nga hapësira online dhe rrjetet sociale, të cilat sipas tij po ndikojnë gjithnjë e më shumë në politikë dhe opinion publik, jo vetëm në Shqipëri por edhe më gjerë.
‘Është interesant për kohën ku kemi hyrë botën që jetojmë dhe sfidat me të cilat do të përballemi gjithnjë e më shumë edhe PS. Nëse kjo histori do të kishte ndodhur 10 vite më parë do të kishte mbetur në rastin më të mirë një debat shqiptar pa protestë. Do të kishte pasur mbështetës, kundërshtar, sherr por do kishte mbetur këtu brenda kufijve tanë pavarësisht përfshirjes së amerikanëve, të izraelitëve apo të dreqit vet që u përfshi në këtë histori”, theksoi kryeministri.
/rtsh.al/