“Rama dëshiron përçarjen mes palëve!”- Bashkimi i partive opozitare? Marjana Koçeku: Do ishte pozitive! Thirrjet e sheshit janë kundër establishmentit të vjetër politik, studentët mund t’ia dalin
Deputetja e pavarur, Marjana Koçeku, ka komentuar zhvillimet e protestave në Tiranë dhe mundësinë e bashkimit të forcave politike dhe qytetarëve kundër qeverisë.

Në News24, Koçeku theksoi se thirrjet e protestuesve janë kundër të gjithë establishmentit të vjetër politik që ka qeverisur vendin ndër dekada. Ajo u shpreh se në situatën aktuale nuk duhet të ketë përçarje mes subjekteve që nuk janë pjesë e pushtetit, por as mes qytetarëve dhe protestuesve.
Megjithatë, deputetja e pavarur nënvizoi se një bashkim i tillë nuk duhet konsideruar i pamundur, duke sjellë në vëmendje edhe protestat e studentëve, të cilat sipas saj, deri pak muaj përpara se të nisnin, dukeshin të pamundura.
“Por nuk duhet konsideruar e pamundur, pasi edhe vetë protestat, me flamengon dhe studentët, nëse do të diskutoheshin një vit apo gjashtë-shtatë muaj më parë, do të dukeshin të pamundura si ide dhe si ngjarje”, tha ajo.
E pyetur se çfarë dëshiron kryeministri Edi Rama në kushtet aktuale politike, Koçeku u përgjigj se përçarja mes palëve është në interes të pushtetit.
“Patjetër që do të dëshironte të kishte atë që është tani, përçarje mes palëve. Është luks i pushtetit që të ketë përçarje mes të gjithëve. Prandaj, duhet të bëhet e kundërta e asaj që dëshirohet nga pushteti dhe të gjenden të gjitha format e mundshme për të krijuar një afrimitet dhe konsolidim, përqendrim të energjisë së përbashkët”, deklaroi ajo.
Teksa u ndal më teje dhe te protestat e studentëve në Serbi, që u pasuan me dorëheqjen e Vuçiçit dhe humbjen e tij në zgjedhje, ajo tha pavarësisht se mes dy vendeve ka dallime të konsiderueshme, zhvillimet në Serbi mund të shërbejnë si një shtysë edhe për studentët shqiptarë.
“Përderisa ata dolën kundër një regjimi autoritar dhe të ashpër, edhe studentët shqiptarë mund t’ia dalin shumë mirë në kushtet ku janë”, u shpreh Koçeku.
Koçeku: Sheshi është një faktor i patjetërsueshëm dhe sa më shumë që palët pretendojnë të mos e shohin krizën politike që është shkaktuar në këtë kohë, aq më shumë thellohet kjo krizë në vetvete. Thirrjet e sheshit janë kundër të gjithë establishmentit të vjetër politik që ka pasur vendi ynë në dekada.
Por, në të njëjtën kohë, nuk mendoj se në situatën ku jemi kemi luksin të ketë përçarje politike mes subjekteve që nuk janë pjesë e pushtetit, por në të njëjtën kohë as përçarje mes qytetarëve dhe protestuesve. Besoj se një mundësi bashkimi do të ishte shumë pozitive. Sigurisht, kjo mbetet për t’u parë dhe vihet në pikëpyetje se sa e mundshme mund të jetë, duke pasur parasysh kontekstin social, aftësinë për kompromis dhe konsensusin, që nuk është edhe aq i pranishëm në mentalitetin tonë njerëzor.
Por nuk duhet konsideruar e pamundur, pasi edhe vetë protestat, me flamengon dhe studentët, nëse do të diskutoheshin një vit apo gjashtë-shtatë muaj më parë, do të dukeshin të pamundura si ide dhe si ngjarje.
Pyetje: Në këtë situatë, nga sa e njihni kryeministrin Rama, në këto kushte, çfarë dëshiron ai?
Koçeku: Patjetër që do të dëshironte të kishte atë që është tani, përçarje mes palëve. Është luks i pushtetit që të ketë përçarje mes të gjithëve. Prandaj, duhet të bëhet e kundërta e asaj që dëshirohet nga pushteti dhe të gjenden të gjitha format e mundshme për të krijuar një afrimitet dhe konsolidim, përqendrim të energjisë së përbashkët.
Ju bëtë një krahasim me atë që ndodhi në Serbi. Nuk besoj se ka shumë për të krahasuar mes vendit tonë dhe Serbisë, sepse bëhet fjalë për një gjeografi tjetër, numër popullsie tjetër dhe kushte sociale të tjera. Atje funksionojnë shumë mirë këshillat studentorë kombëtarë, janë funksionale sindikatat e punëtorëve, të cilat kanë pasur një kontribut të madh në të gjithë protestën. Gjithashtu, e gjithë ngjarja dhe narrativa politike e historike janë të tjera. Por, sigurisht, mund të shërbejë si një farë shtyse e mëtejshme, pasi, përderisa ata dolën kundër një regjimi autoritar dhe të ashpër, edhe studentët shqiptarë mund t’ia dalin shumë mirë në kushtet ku janë.