E Premte, 6 Nëntor 2026

Rama dhe Karakaçi inspektojnë Bypass-in e Tiranës, kryeministri: Do të çlirojë kryeqytetin nga trafiku, shpronësimet do të kryhen me transparencë

TIRANË – Kryeministri Edi Rama, së bashku me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, kanë inspektuar punimet në kantierin e Bypass-it të Tiranës, një projekt strategjik që synon të lehtësojë qarkullimin në kryeqytet dhe të krijojë një lidhje të drejtpërdrejtë mes akseve kryesore rrugore.

Gjatë inspektimit, Rama u ndal te ndikimi që do të ketë ky projekt në qarkullimin e automjeteve, por edhe në vlerën e pronave në zonën ku po zhvillohen punimet.

Kreu i qeverisë deklaroi se ndërtimi i Bypass-it do të mundësojë shmangien e një pjese të fluksit të automjeteve që aktualisht kalojnë përmes Tiranës, duke lehtësuar hyrjen dhe daljen nga kryeqyteti.

“Ajo që të gjithë duhet ta mbajnë parasysh në këtë zonë është rritja e ndjeshme e pronës së tyre. Çdo shpronësim do të bëhet ashtu siç duhet, me transparencë dhe sipas ligjit. Do të jetë një aks që do të çlirojë kryeqytetin nga një rëndesë”, u shpreh Rama.

Reklamë

Ai theksoi se një pjesë e automjeteve do të vijojnë lëvizjen drejt jugut dhe juglindjes pa pasur nevojë të kalojnë nëpër qytet, ndërsa pjesa tjetër do të ketë më shumë lehtësi për të hyrë dhe për të dalë nga Tirana.

Nga ana e tij, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, bëri të ditur se aktualisht po punohet në 10 kilometrat e parë të aksit, të financuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH).

Sipas tij, i gjithë Bypass-i ka një gjatësi prej 21 kilometrash, ndërsa 11 kilometrat e mbetur pritet të financohen nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).

“Është një segment shumë i rëndësishëm, sepse bën ndërlidhjen ndërmjet autostradës Durrës-Tiranë me autostradën Tiranë-Elbasan. Këtu jemi në 10 kilometrat e para, të cilat janë të financuara nga ARRSH. Punimet kanë ecur mirë. I gjithë aksi është 21 kilometra. Pjesa tjetër, pra 11 kilometra, janë me financim nga BERZH”, deklaroi Karakaçi.

Ministri bëri të ditur se qeveria pret që brenda tre muajve të parë të vitit 2027 të miratohet marrëveshja e financimit me BERZH për përfundimin e pjesës tjetër të projektit.

Bypass-i i Tiranës synon të përmirësojë lidhjen mes korridoreve kryesore rrugore të vendit, duke lehtësuar trafikun urban dhe duke mundësuar lëvizjen e automjeteve drejt destinacioneve të tjera pa kaluar përmes qendrës së kryeqytetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›