E Enjte, 5 Nëntor 2026

Rama emigrantëve të regjistruar si refugjatë nga Kosova: Përpjekje diplomatike që të rimerrni emrat tuaj

TIRANË, 24 nëntor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se Shqipëria do të vazhdojë përpjekjet diplomatike pranë qeverisë së re britanike për t’u mundësuar të gjithë emigrantëve që kanë një emër tjetër, rikthimin e emrit të babës e të nënës, në të gjitha rastet kur e dëshirojnë këtë.

Gjatë takimit me shqiptarët e Britanisë së Madhe, Rama kujtoi se shumë prej atyre ikën nga gërmadhat e piramidave si refugjatë politikë nga Kosova, duke marrë shkas nga spastrimi etnik në Kosovë.

“Ishte viti i egër 1999, kur refugjatët nga Kosova u dyndën drejt Shqipërisë për ti shpëtuar mizorisë së spastrimit etnik që ngriti kasapi i Beogradit. Populli shqiptar, ende i plagosur nga tërmeti i piramidave famëkeqe të 1997, u ngrit në këmbë për ti mikpritur, strehuar e mbrojtur çdonjërin prej gjysmë milioni shqiptarëve të Kosovës që sosën në vendin tonë me zemrën e djegur nga flakët e shtëpive dhe veç me rrobat e trupit”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se ishte pikërisht në atë kohë kur shumë prej nesh që iknin nga gërmadhat e piramidave udhëtuan drejt Britanisë së Madhe, ku u regjistruan si refugjatë politikë nga Kosova, për të fituar letrat e qëndrimit dhe të drejtën për të punuar.

“Sot është kollaj të thuhet se ata nuk duhet të ishin fshehur në radhët e refugjatëve politikë dhe duhet të kishin qenë të sinqertë për statusin e tyre si emigrantë ekonomikë. Sot është kollaj të thuhet se ata abuzuan me sistemin e këtushëm duke ndërruar emër e mohuar vetveten prej nevojës për t’u paguar nga një punë sado e vështirë dhe ndërtuar një jetë sadopak më të mirë. Por vetë ndarja mes refugjatëve politikë dhe atyre ekonomikë jo thjesht në kushte si ato të atij viti e të asaj kohe, por në çdo kohë, është vetëm një mjet për të justifikuar përjashtimin shoqëror dhe për të udhëhequr politikën e frikës nga tjetri në një Europë që është e kapur moralisht në kurthin e politikës dritëshkurtër të zgjedhjeve të radhës”, tha Rama. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›