E Premte, 6 Nëntor 2026

Rama: Braverman iku bashkë me shpurën e saj, shqiptarët vazhdojnë të qëndrojnë krenarë në Angli

TIRANË, 24 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama iu drejtua sot emigrantëve në Britaninë e Madhe duke u thënë se emri “shqiptar” i bën krenarë ata edhe në Angli.

Kryeministri Rama në takimin me shqiptarët e Britanisë së Madhe iu referua deklaratave të ish-ministres së Brendshme të BM, Braverman.

“Kur po vija këtu dhe po bëja bashkë mendimet për të ndarë me ju, m’u kujtuan fjalët e asaj politikanes britanike, dhe besoj e mbani mend të gjithë ish-ministren e Brendshme të këtij vendi përpara pak a shumë një viti, një tip që u bë mishërimi i politikës djallëzore të diskriminimit etnik, duke na treguar ne shqiptarët si një rrezik për Mbretërinë e Bashkuar”, u shpreh Rama.

“Ajo zonja doli në parlamentin britanik dhe tha se çfarë po ndodhet në kufijtë e këtij vendi me shqiptarët, ishte një pushtim. Na bëri pushtues, sikur shqiptarët të ishin ushtarë të një armate zaptuesish dhe plaçkitësish të këtij vendi dhe jo pjesë e masës njerëzore që edhe sot e kësaj dite i punon këto toka dhe ndërton në këto toka”, theksoi Rama.

Kreu i qeverisë tha se, “zonja na quajti pushtues, a thua se kishim ardhur për të kërkuar tokën dhe kurorën e Mbretëreshës dhe jo për të punuar me kokën ulur dhe me kurorën e djersës rreth ballit, duke ndihmuar edhe ekonominë britanike, e cila vuan gjithnjë e më shumë për krahë pune. U ngritën edhe ca të tjerë pas zonjës dhe na treguan me gisht, sikur ishim vikingë me shpata e sopata në duar, jo karpentierë, bujq, shoferë kamionistë, pastrues, recepsionistë, kamerierë, burra të gatshëm për çdo punë dhe minorenë ëndërrimtarë për çdo majë”.

“Ambasadori ynë këtu në Londër është njëri prej tyre, i ardhur që i vogël me gomone, i rritur e bërë burrë në korridoret e shkollave më prestigjioze britanike, ku doli me rezultate të larta, për t’u integruar denjësisht në shoqërinë e këtushme. Edhe shqiptari nga Malësia e Madhe, që bëri shoferin për mua këtë herë, ka ardhur me kamion nga Italia, 28 orë i mbuluar mes mallrave, ndërsa sot ka një kompani private sigurie me 120 punonjës jo veç shqiptarë, por edhe anglezë, portugezë, polakë, italianë, pakistanezë, indianë. Ai nuk është pushtues, ai është një kontributor në këtë vend dhe për këtë vend”, vijoi Kryeministri.

Kreu i qeverisë u ndal te një episod gjatë qëndrimit në Londër pak kohë më parë.

“Ndodhi diçka e këndshme për mua, por për truprojat britanike që qeveria kishte vënë në dispozicion ishte shumë e çuditshme. Hyj në hotel, sapo arrita dhe ulem për të marrë një kafe vjen kamerieri dhe më flet shqip, truproja e sheh dhe unë i them: “Mos u shqetëso, jam në shtëpi”. Dal në mëngjes, dëgjoj britma: “Edi Rama”. Truprojat vihen në lëvizje. Shikoj tre punëtorë në skela te godina ngjitur. Ata në shqip: “Kthehu për një kafe, o burrë, në ora 4”. Unë i kthehem truprojës dhe i them: “Prapë mos u shqetëso, jam në shtëpi”. Por kulmi ishte në parlamentin anglez, mu te dera, një roje i parlamentit: “Ku je, bre, kryeministër? Mirë se ke ardhur në Londër!” Aty i them truprojës: “Jeni edhe ju nga Shqipëria”, tregoi Rama.

“Çfarë të thuash?! Këto janë kohët në të cilat jeton bota dhe ne shqiptarët bashkë me të, por ama, një gjë është e sigurt, ajo “teta” që ju tregonte me gisht, iku nga pushteti bashkë me shpurën e saj, kurse ju ja ku jeni. Jeni këtu ku ishit, shqiptarë të Europës në Londër, qytetarë të botës, që sot më në fund emri Shqipëri ju bën krenarë edhe këtu në Angli”, tha Rama. /k.s/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›