Rama mbledh Grupin e PS në Pallatin e Brigadave, në fokus Kadastra, reforma territoriale dhe strategjia e komunikimit

Kryeministri Edi Rama do të mbledh sot (28 mars) në Pallatin e Brigadave kryesinë dhe grupin parlamentar të Partisë Socialiste, në një takim ku në qendër të diskutimeve janë agjenda parlamentare dhe strategjia e komunikimit me qytetarët, kadastra dhe reforma territoriale.
Takimi pritet të hapet me fjalën e kreut të Grupit Parlamentar, Taulant Balla, ndërsa më pas do të ketë një adresim edhe nga vetë kreu i qeverisë.
Sipas rendit të ditës, në mbledhje do të raportojë drejtuesja e Kadastrës, Lorena Goxhobelli, si dhe bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrative Territoriale, Arbjan Mazniku. Gjithashtu, do të prezantohet edhe strategjia e komunikimit nga Erjona Ismaili.
Pas raportimeve, është parashikuar një seancë pyetje-përgjigjesh lidhur me problematikat e evidentuara në terren.
Gjatë kësaj jave, Edi Rama ka zhvilluar një sërë takimesh në “Vilën 30”, ku është bërë një analizë e detajuar e punës së ministrive. Në këto takime kanë marrë pjesë zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, drejtuesi i AKSHI-t Igli Tafa, si dhe disa ministra të kabinetit.
Në raportimin e ministres së Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, vëmendje e veçantë i është kushtuar situatës ekonomike në vend dhe problematikave në tregun e hidrokarbureve, përfshirë edhe mundësinë e vendimmarrjes nga Bordi i Transparencës.
Më herët, kryeministri zhvilloi një tjetër takim me drejtues të lartë të qeverisë, ku në fokus ishte intensifikimi i komunikimit me qytetarët për programin qeverisës.
/rtsh.al/