E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama me gratë dhe vajzat e Beratit: Duke votuar PS-në mbështesni kursin e transformimit evropian të Shqipërisë

TIRANË, 23 prill /ATSH/ Kryeministri njëherësh, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama zhvilloi sot takim me gra e vajza të qarkut Berat.

Në fjalën e tij, Rama u shpreh se, duke votuar PS-në, gratë dhe vajzat do të vazhdojnë të mbështesin kursin e emancipimit dhe transformimit evropian të Shqipërisë, teksa shtoi se nuk mund të jetë Shqipëria peng i partisë së Ilir Vrenozit.

“Thoshte dikush sot: çfarë bëhet kështu, vetëm me gratë po e mund Edi Rama “kënetën”. Në fakt kaq shumë sa jeni ju sot këtu në këtë shesh, gratë dhe vajzat e Beratit për të dëshmuar jo thjesht mbështetjen, por për të dëshmuar përkushtimin tuaj në këtë betejë për historinë, “bufi i kënetës” nuk i mbledh dot burra e gra në të gjithë qarkun e Beratit”, tha Rama.

Por, shtoi Rama, “kjo nuk është çështje numrash, kjo është një çështje e një transformimi që ne e kemi bërë të mundur së bashku. E një transformimi që nuk është thjeshtë një raport gjinor brenda PS-së, por është transformimi që ka pësuar Shqipëria falë përfshirjes masive të grave dhe vajzave në të gjitha nivelet e vendimmarrjes”.

“Unë besoj fort që Shqipëria që ne trashëguam në buzë të humnerës kishte një problem shumë të madh, ndër të tjera, sepse qëndronte në një këmbë, nuk e kishte këmbën tjetër. Sepse nuk e kishte gruan dhe vajzën në dispozicion, njësoj si burrat dhe djemtë, të zhvillimit të saj”, tha Rama.

Rama nënvizoi se, PS kishte vetëm 12% gra, ndërsa sot ka 40% gra.

Por, shtoi ai, “ne nuk duhet të ndalemi këtu, ne duhet të ecim me të njëjtën vendosmëri deri sa në PS të kemi 50% gra dhe vajza, madje-madje unë besoj që më e mira do të jetë që të kemi një më shumë sesa burra dhe djem”.

“Sepse çfarë ndodh brenda nesh, çfarë ne arrijmë në këtë familje të madhe politike, reflektohet pastaj në çfarë bëjmë në qeverisjen e vendit, në çfarë bëjmë në qeverisjen vendore”, shtoi Rama.

“Ne kemi arritur që t’i imponohemi të gjithë politikës shqiptare duke i kthyer në ligje ato që në partinë tonë i kemi bërë si rregull për njëri-tjetrin. Prandaj sot ne kemi 50% gra dhe vajza në këshillat bashkiakë. Prandaj sot në Parlamentin e Shqipërisë ka shumë më tepër gra dhe vajza se ç’kishte kur ne morëm detyrën dhe parlamenti dukej si një odë otomane. Prandaj sot në qeverinë e Republikës së Shqipërisë për të disatin vit rresht ne kemi një raport gra-vajza, burra-djem që na vë në 5-shen e parë në listën e Kombeve të Bashkuara. Prandaj sot ne kemi më shumë gra dhe vajza sesa burra dhe djem në nivelet drejtuese të administratës. Edhe në skuadrën kombëtare të negociatave me BE-në, të cilën e drejtojnë një grua dhe një vajzë si kryenegociatore dhe zv.kryenegociatore, ne kemi më shumë gra dhe vajza sesa burra dhe djem.”

Kjo, shtoi Rama, nuk është për të thënë që burrat dhe djemtë vlejnë më pak, përkundrazi, por kjo është për të thënë që gratë dhe vajzat i japin tonin dhe i japin seriozitetin gjithë përpjekjes sonë, me korrektesën e tyre, me vullnetin e tyre, me durimin e tyre”.

Rama u shpreh krenar që theksoi ai, “ne kemi 71 gra dhe vajza në skuadrën kombëtare të 11 majit, por më e bukura është që në listën e mbyllur, ndryshe nga “këneta e burrave”, ne kemi 52% gra dhe vajza”.

Prandaj, theksoi Rama, “arsyet e grave dhe të vajzave për të votuar masivisht për PS-në në 11 maj janë më shumë sesa të burrave dhe të djemve, edhe për faktin sepse duke votuar PS-në, gratë dhe vajzat do të vazhdojnë ta mbështesin këtë kurs emancipimi, këtë kurs transformimi evropian të Shqipërisë”.

Rama nënvizoi se, “nuk mund të jetë Shqipëria peng i partisë së Ilir Vrenozit”.

“Ju e patë dje në Korçë, Ilir Vrenozi është njëshi i vërtetë i palës tjetër. Gjuha e tij është programi i vërtetë i palës tjetër. Brutaliteti i tij është sinqeriteti i maskuar i palës tjetër. Asgjë tjetër nuk vlen sa ajo që u shfaq dje në Korçë, me të gjithë brutalitetin dhe me të gjithë vërtetësinë e vetë. Një sallë e ekzaltuar nga fjalori ekstrem. Një sallë e ekzaltuar nga diçka që shpërfaqi të gjithë hipokrizinë e të ashtuquajturës “Shqipëri madhështore”, në fakt është një “kënetë madhështore””.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›