Rama me italo-shqiptarin në Përmet: Gjatë verës do të punoj në Shqipëri

TIRANË, 22 prill /ATSH/ Kryeministri dhe njëherazi kreu i PS, Edi Rama vizitoi sot kampingun e ngritur në Përmet, Glamping Albania Rafting.
Rama publikoi një video në rrjetet sociale me një të ri të quajtur Kristian, i cili ka lindur dhe është rritur në Itali dhe ka ardhur të punojë në Shqipëri.
“ATdheun në Itali MËMËdheun në Shqipëri”, shkruan Rama në postimin e tij.
Kristian shprehet se, vjen nga një familje që ka aktivitet sportiv në Trevizo, afër Venezias.
“Janë 18 vjet që merrem me sporte ujore dhe shoqata jonë në Trevizo nuk merret vetëm me turizëm, por merremi edhe me shkolla, merremi me industri”, tha ai.
Ai u shpreh i kënaqur që u takua me kryeministrin Rama dhe për faktin që punon në Shqipëri.
Kreu i qeverisë e pyeti se çfarë do të bëjë në të ardhmen, nëse do të ikë përsëri.
Ai u shpreh se në sezonin veror do të jetë në Shqipëri, në dimër do të jetë në Itali me projekte, sepse theksoi, “edhe atje duhet të vazhdojmë”.
Ai u shpreh se është shqiptar nga nëna, nga Berati dhe italian nga babai.
/r.e/a.f/