E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama me gratë dhe vajzat në Gjirokastër, Kumbaro: Duam fitore 4 me 0

TIRANË, 22 prill/ATSH/ Kryeministri e njëherazi kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama zhvilloi sot një takim me gra dhe vajza të qarkut të Gjirokastrës.

Kreu i Partisë Socialiste në këtë takim shoqërohej nga drejtuesja politike e PS për qarkun Gjirokastër, Mirela Kumbaro, si edhe nga kandidatja e PS për këtë qark në listat e hapura, Anila Dhimitri.

Takimi ishte pjesë e fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Kreu i PS-së, Rama, ka vendosur në fokus të kësaj fushate vajzat dhe gratë, duke theksuar rëndësinë e tyre në shoqërinë shqiptare, si dhe në vendimmarrjen brenda Partisë Socialiste dhe qeverisë që ai drejton.

Takimi nisi me këngën e zyrtare të fushatës elektorale të PS të kënduar nga reperi Noizy. Po ashtu u performuan dhe këngë polifonike të zonës së Gjirokastrës.

Në çelje të takimit fjalën e mori Suela, një e re që voton për herë të parë. Ajo tha se nuk ka asnjë dilemë se për kë do të votojë më 11 maj. “Vota ime është për PS. Gjirokastra ka ndryshuar: Rrugë të asfaltuara; lagje historike të rilindura; turizmi është shtuar; investimet në zonat kulturore të Gjirokastrës janë të shumta dhe e kanë kthyer qytetin në një mundësi për të ardhmen”, tha Suela.

Suela tha se beson tek e ardhmja e Shqipërisë në BE.

Më tej, fjalën e mori drejtuesja politike e PS në Gjirokastër, Mirela Kumbaro. “Jeni zemra e qytetit!”, iu drejtua Kumbaro të pranishmeve.

“Jeni zjarri i PS. E dimë të gjitha bashkët se çfarë do të thotë të jesh grua në këtë qark dhe të komandosh shtëpitë e Labërisë në Tepelenë, vatrat e Toskërisë në Memaliaj. Ju e dini çdo të thotë të jesh libohovite, përmetare, këlcyrjote. Ju e dini çdo të thotë të jesh dropullite po ashtu”, tha Kumbaro.

“Një qark i tillë s’ka asnjë moment dyshimi se për cilën parti do të votojë në 11 maj dhe vota do të jetë për PS”, u shpreh Kumbaro.

“Nëse flasim sot për punë, ky qark është si rrethrrotullimi i sheshit “Skënderbej”, qarku i Gjirokastrës është rrethrrotullimi mes jugperëndimit dhe juglindjes. Sot kemi detin larg vetëm 35 minuta falë investimeve të kryera”, tha Kumbaro.

“Qarku i Gjirokastrës do të votojë 100 për qind për PS, për Edi Ramën, për Europën që kemi në prag të derës, për pasaportën që kërkon Suela dhe gjithë shqiptarët. Këtu në Gjirokastër duam fitore 4 me 0 jo vetëm për PS, por edhe për demokratët që e duan Shqipërinë në BE”, u shpreh Kumbaro.

1 nga 6

/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›