E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama me të rinjtë: Askush nuk më besonte kur thoja që Belshi do jetë destinacion turistik

TIRANË, 24 prill/ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama i bëri apel të rinjve në Belsh që të votojnë Partinë Socialiste në zgjedhjet e 11 majit, teksa theksoi se “tashmë kjo qytezë është kthyer në një destinacion turistik”.

Në fjalën e tij gjatë një takimi në Belsh me të rinj që janë votues për herë të parë, Rama tha se “më 11 maj do të arrijmë një fitore jo për mua, as për deputetët apo qeverinë, por një fitore të rëndësishme për të përmbushur një mision historik që nuk është i yni, por pjesë e të cilit ne jemi. Është një mision i gjeneratave të tëra”.

Duke folur si ishte Belshi dhe si është transformuar pas investimeve të kryera, Rama tha se “këtu ku jemi ne kishte vetëm ferra, mbeturina dhe harroja se mund të imagjinohej të më kuptonin, besonin apo të më merrnin seriozisht kur unë u thosha ky vend është i krijuar për të qenë destinacion turistik, këtu do vijnë turistë”.

“Thoshin do na gënjejë edhe ky si të gjithë, ja ku jemi sot këtu Belshi është destinacion turistik, e gjithë kjo bukuri, pastërti, atmosferë pozitive kur njeriu shikon rreth e rrotull atëherë ishte komplet e kundërta, mund të ndriste dielli, por vriste shëmtia, braktisja, vetmia, izolimi i këtij vendi të bekuar”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “kjo atmosferë pozitive është përtej asaj që shohim”.

“Është shtrirë në komunitet, ku janë hapur dyert dhe hapen përditë dyer për të pritur vizitorë, turistë, vetëpunësohen njerëz, rritet ekonomia familjare, prodhimi në funksion edhe të kësaj këtu. Zgjerohet agroturizmi dhe ndërkohë shumë gjëra të tjera kanë ndryshuar”, u shpreh Rama.

“Mirëpo ajo që ne duhet të kapërcejmë, ose më saktë ju në radhë të parë duhet të përpiqeni të kapërceni dhe nuk është e lehtë është hendeku i madh midis jush, aty ku jeni dhe Shqipërisë reale në tërësi sepse mes jush aty ku jeni dhe Shqipërisë reale në tërësi sepse mes jush dhe Shqipërisë reale është vendosur një mur i madh me zhgarravina, zhgarravinat e ekraneve portaleve, rrjeteve sociale ku duhet vërtetë të kesh shumë durim për të arritur të gjesh gjërat që lidhen me jetën reale”, nënvizoi Rama.

Sot, vijoi Rama, për shembull një pjesë e popullsisë, e cila ushqehet me ato zhgarravinat e atij murit mendon që në Shqipëri nuk ka ujë akoma, që uji i pijshëm në Shqipëri është përsëri një sfidë e gjithanshme e kudondodhur dhe kaq e vërtetë është kjo që po të shikoni edhe kur komentojnë janë komplet jashtë Shqipërisë reale.

“Apo kur komentojnë për spitalet. Janë komente të njerëzve që nuk kanë vajtur më në spitale, por kanë kujtime të rënda apo tregimet. Shkollat e kështu me radhë. Këtu ku jemi ne sot, jo tani por prej disa vitesh ka 24 orë të pijshëm, jo vetëm në qendër të Belshit, por në 18 fshatra, rreth e rrotull furnizimi me ujë është 24 orë dhe ka një pjesë për të përmbyllur pjesën e fundit. 90% e bashkisë së Cërrikut me gjithë fshatrat kanë 24 orë ujë të pijshëm. Kjo është një sfidë e tejkaluar në masën më të madhe dhe kjo është një sfidë që vazhdon në një pjesë tjetër dhe kjo është arsyeja pse ne duam të vazhdojmë punën”, tha Rama.

/k.s/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›