E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kapelebërësi shkodran Namik Sokoli, mjeshtër i qepjes dhe kapeleve

Në një cep të Shkodrës, një mjeshtër me gërshërë e fije ka 64 vite që krijon.

Ai është Namik Sokoli, i cili nisi të qepë që në moshën 10-vjeçare. Gjatë viteve ai ka punuar me çdo lloj veshjeje, nga palltot klasike te pardesytë elegante dhe kostumet e përshtatura për burra e gra.

Ai tregon si ka ndryshuar zanati ndër vite.

“Ka ndryshuar shumë në përdorimin e veshjeve. Nuk vesh kush sot kostume. Janë të rrallë që veshin kostume. Kanë dalë rrobat sportive, xhinset,” thotë rrobaqepësi.

Vitet e fundit, Namiku ka shtuar edhe një tjetër krijim: kapelet.

Bereta, kapelet “Republika” dhe modele të tjera unike janë pjesë e punës së tij. Preferenca e klientëve më shumë mbetet te kapelet klasike.

“Moshat [e vjetra] përdorin më shumë kapele. Rinia këto sportivet…” tregon Namiku.

Klientët shpesh kërkojnë që ato të kombinohen me palltot apo pardesytë e tyre. 

“Do se s’bën kombinim kapelja me veshjen. Janë ngjyrat që e zbukurojnë paraqitjen. Për shembull, një pallto kafe do një kapele bezhë ose ngjyrën e vet maksimumi,” thekson kapelepunuesi.

Namiku vijon të qëndrojë pranë makinës së qepjes, duke treguar se pasioni i tij për zanatin nuk ka ndryshuar, nga palltot e kostumet, deri te kapelet që i japin çdo krijimi të tij një shije të veçantë edhe sot.

Gazetare: Blerta Cina

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›