Fermerët e Lunxhërisë, optimistë për rendimentin e këtij sezoni në bujqësi

Kjo është periudha kur fermerët në zonën e Lunxhërisë, në Bashkinë e Gjirokastrës, janë të angazhuar me ujitjen e kulturës së misrit.
Për ta, ky është një moment i rëndësishëm që përcakton cilësinë dhe sasinë e prodhimit në muajt e ardhshëm.
Sipas fermerit Vangjel Kondi, i cili merret prej vitesh me sektorin e bujqësisë, pritshmëritë për këtë sezon janë pozitive.
“Për momentin merrem me vaditjen. Duhet një javë akoma deri në fund të muajit, pastaj ndërpritet vaditja. Deri tani duket mirë, megjithëse është shumë thatësirë. Do e shohim në fund kur të korret. Atëherë duket. Varet nga misri, çfarë mbjell. Ka shumëditësh, pakditësh, 90-ditësh, ka deri në 140-ditësh. Fillon nga mesi i tetorit e mbrapa, gjithmonë,” thotë fermeri.
Kondi thekson se krahas punës në tokat me misër, kjo është gjithashtu një periudhë intensive edhe për korrjen e kulturës së jonxhës.
“Kjo është dora e tretë e jonxhës; jonxhë e sivjetme. Kjo pjesa këtu është e vaditshme. Nuk është i mjaftueshëm uji, por sa mundemi, vaditim. Tani vetëm në vjeshtë po u korrën prapë,” thotë z. Kondi.
Sezoni i këtij viti tregon se këto kultura bujqësore në zonën e Lunxhërisë po japin rezultatet e tyre, duke forcuar sektorin e bujqësisë dhe duke i dhënë më shumë siguri fermerëve për të investuar në to.
Gazetare: Boralda Pëllumbi
/rtsh.al/