E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama nga Fieri: 11 maji takim me historinë, të rinjtë vendosin për Shqipërinë europiane

TIRANË, 29 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me të rinjtë në qytetin e Fierit, ku theksoi rëndësinë e veçantë të zgjedhjeve të 11 majit, veçanërisht për votuesit e rinj që marrin pjesë për herë të parë në procesin zgjedhor.

Kryeministri shtoi se çdo zgjedhje ka rëndësinë e vet, por disa prej tyre mbartin një peshë të veçantë historike dhe përgjegjësi të madhe.

“Çdo zgjedhje ka rëndësi të veçantë për një komunitet, apo mbarë vendin. Nuk ka zgjedhje të parëndësishme, por ama jo çdo zgjedhje ka peshën e përgjegjësisë që nganjëherë fati të vë mbi supe, kur ditën e zgjedhjeve bashkohen bashkë edhe detyra për të zgjedhur një palë, apo një individ për të drejtuar një komunitet, apo drejtuar vendin, edhe misioni për të çuar para vendin tënd, duke u takuar me historinë”, tha Rama.

Më 11 maj, vijoi Rama, të gjithë vajzat dhe djemtë e këtij vendi, me votën e tyre, do të vendosin për Shqipërinë në Bashkimin Europian, për t’u bërë qytetarë të barabartë të Europës dhe për të marrë pasaportën europiane.

Rama u bëri thirrje të rinjve që të ndajnë zgjedhjen e tyre edhe me miqtë dhe bashkëmoshatarët, pasi këto zgjedhje, sipas tij, janë më shumë se një vendim për Partinë Socialiste.

“Janë zgjedhje që ngjajnë me ato të vitit 1992, kur shumica e shqiptarëve votuan për ndryshimin historik. Sot, duke votuar për PS, ju do të ndani historinë e derisotme me historinë që nis pas 11 majit, dhe së bashku do ta bëjmë atë historinë e vendit tonë në Bashkimin Europian”, theksoi Rama. /j.p/

1 nga 3

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›