Rama prezanton reformën e pyjeve: Monitorim me dronë dhe mbështetje nga ndërtuesit për fidanishte

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në takimin e organizuar për prioritetet e mjedisit, biodiversitetit dhe pyjeve, ku u diskutua nevoja për një fazë të re të administrimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Ai theksoi se qeveria po angazhohet për të futur teknologjinë në menaxhimin e pyjeve dhe për të rritur kapacitetet e mbjelljes, ndërsa paralajmëroi se të gjithë ata që ndërtojnë në Shqipëri do të kontribuojnë sipas sipërfaqes së ndërtimit në fondin e pyjeve, si pjesë e një ligji të ri që ka hyrë në fuqi.
Rama nënvizoi se sfida më e madhe mbetet ajo e zjarreve, të cilat çdo verë kthehen në problem serioz për mjedisin dhe komunitetet.
“Jemi në një tjetër sfidë që e kemi parë të përsëritet dhe e shohim sidomos gjatë sezonit të verës, që është problemi i madh i zjarreve. Për këtë arsye nevoja për të ndërhyrë më shumë, me më tepër kurajo në aspektin e reformës dhe më shumë angazhim përsa i përket pyjeve, është çdo vit e më e madhe”, u shpreh ai.
Kryeministri shtoi se nuk ka një “ilaç” për zjarret, por se duhet reaguar me investime të menjëhershme në zonat e dëmtuara.
“Nevojitet të bëjmë diçka tjetër sepse duhet t’i përgjigjemi sfidës duke reaguar dhe duke investuar pa humbur kohë në ato pjesë që për shkak të zjarreve kthehen në plagë. Për këtë arsye po angazhojmë burime të reja financiare, duke futur teknologjinë dhe duke rritur kapacitetet mbjellëse përmes pyllëzimeve me dronë që kanë saktësi dhe efikasitet”, tha Rama, duke shtuar se këto projekte janë buxhetuar për vitin e ardhshëm dhe do të shërbejnë si bazë për rritjen e financimit dhe intensitetit të pyllëzimit në vitet që vijnë.
Ai paralajmëroi gjithashtu zgjerimin e fidanishtes publike, në bashkëpunim me bashkitë dhe Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe Pyjeve, për të krijuar një fond të posaçëm dhe një rrjet fidanishteje në nivel kombëtar.
“Nga këtu lind nevoja për të zgjeruar fidanishten publike, duke bashkëpunuar me bashkitë dhe duke mbështetur agjencinë e re kombëtare të zonave të mbrojtura dhe pyjeve për të krijuar fondin e vet dhe për të pasur rrjetin e fidanishteve”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se fuqizimi i prodhimit të fidanëve me teknologji moderne dhe përdorimi i inteligjencës artificiale do të jenë pjesë e planit të Ministrisë së Mjedisit për të rritur kapacitetet e pyllëzimit.
Ai shtoi se zonat e mbrojtura nuk duhet parë si pengesë për zhvillimin ekonomik, por si mundësi për të gjeneruar të ardhura të reja për komunitetet lokale.
“Zonat e mbrojtura nuk janë penguese të zhvillimit ekonomik dhe të rritjes së të ardhurave, nëse ato menaxhohen me zgjuarsi dhe në mënyrë kreative. Të ardhurat nga këto zona mund të jenë të konsiderueshme dhe funksionojnë si burim i ri për ato komunitete që jetojnë në ato territore”, u shpreh Rama.
/rtsh.al/