E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama takon drejtuesit e “ITB Berlin”: Shqipëria nis përgatitjet për “Vendin e Nderit” në panairin turistik

Shqipëria ka nisur përgatitjet për të marrë ftesën e “Vendit të Nderit” në panairin më të madh në botë për turizmin “ITB – Berlin” 2025. Lidhur me përgatitjet kryeministri Edi Rama ka takuar në Kryeministri Mario Tobias, bosin e Qendrës së Panaireve të Berlinit si dhe Deborah Rothe, drejtuesja e ITB.

Gjatë takimit, bën me dije kryeministri, janë diskutuar hapat e bashkëpunimit në funksion të edicionit të vitit të ardhshëm të panairit të turizmit.

Në 2025 Shqipëria do të ketë pozicionin qendror në panair dhe mbështetjen e ITB për promovimin e turizmit shqiptar në një zinxhir të tërë aktivitetesh.

“Aktivitete dhe promovimi i turizmit dhe trashëgimisë kulturore shqiptare do të kulmojë në mars të 2025 në shfaqjen e madhe të Berlinit. Një vlerësim i paimagjinueshëm deri disa vite më parë dhe një promovim i jashtëzakonshëm global për Shqipërinë Turistike”, shkruan Rama.

Çdo vit ITB Berlin mirëpret rreth 10,000 ekspozues nga më shumë se 180 vende dhe rajone. Qytetet, operatorët turistikë, zhvilluesit e sistemeve të prenotimeve, linjat ajrore, hotelet dhe bizneset e tjera të lidhura me turizmin prezantojnë veten dhe shërbimet e tyre për të përthithur sa më shumë turistë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›