“Rama të pyetet për AKSHI-n”, Berisha: Kryeministri përgjegjës për disa skandale korruptive

Sali Berisha, që kreu detyrimin për t’u paraqitur në SPAK, hodhi akuza ndaj kreut të ekzekutivit, Edi Rama, si përgjegjës për disa skandale korruptive.
“Aty duhet të futeshe me maskë ose me antigaz, sepse dosjet e Edi Ramës kundërmonin në të katër anët. Ftoj çdo shqiptar të shtrojë pyetjen: a duhej thirrur Edi Rama për 50 dosjet e krimit elektoral? A duhej të pyetej Edi Rama për AKSHI-n, në të cilin familjarisht ka grabitur mbi 600 milionë euro”, tha Berisha.
Nga ana tjetër lideri i opozitës nuk përjashtoi një udhëtim të dytë në SHBA për Forumin Ndërkombëtar të Partive të djathta konservatore.
“Po sikur të shkoj para dhjetorit? Për forumin, do ta marr vendimin më vonë. Në parim, po, por nuk është vendimi përfundimtar”, tha kreu i PD.
Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi, dhëndri i tij i bashkëpandehur në këtë proces, së bashku me dy biznesmenë dhe një notere, dyshohet se kanë kryer korrupsion.
Ndërkohë dhëndri akuzohet se ka kryer edhe pastrim parash si pasojë e privatizimit të trojeve të ish-kompleksit sportiv “Partizani”. SPAK thotë se kjo vendimmarrje i atribuohet Sali Berishës, kur ishte kryeministër.