E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ramaduro e ka shndërruar procesin në një farsë”, Berisha përshëndet zgjedhjet në Kosovë: Frymëzim për shqiptarët në Shqipëri

Kryetari i PD-së, Sali Berisha uron kreun e Vetëvendosjes Albin Kurti për suksesin e arritur në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë.

Në një reagim në rrjetet sociale, Berisha e quan procesin e mbajtur në Kosovë “një sukses frymëzues për Shqipërinë”, ku sipas tij, armiku i egër i votës së lirë të qytetarëve shqiptarë, Ramaduro i Europës, ka shndërruar procesin jetik të zgjedhjeve të lira në farsë të shëmtuar elektorale.

Berisha uroi edhe forcat e tjera politike për pjesëmarrjen dhe qëndrimet e tyre dinjitoze gjatë fushatës dhe respektimin e vendimit të sovranit.

“Të dashur miq, dje Kosova zhvilloi zgjedhjet palamentare të parakohshme, të dytat në një hark kohor 10 mujor.

Këto zgjedhje për fushatën, procedurën e votimit, garën e lirë, administrimin e votës ishin një sukses i vërtetë i demokracisë së re të Kosovës dhe mbarë qytetarëve të saj dhe shpresoj një frymëzim për shqiptarët në Shqipëri, ku armiku i egër i votës së lirë të qytetarëve shqiptarë, Ramaduro i Europës, ka shndërruar procesin jetik të zgjedhjeve të lira në farsë të shëmtuar elektorale.

Me këtë rast dua të uroj përzemërsisht qytetarët e lirë të Kosovës, autoriteret e vendit dhe institucionet e administrimit të procesit zgjedhor dhe forcat politike për arritjen e vërtetë të rendit demokratik të vendit të tyre.

Uroj fituesin e zgjedhjeve Z. Albin Kurti për fitoren e thellë të këtyre zgjedhjeve, por edhe të gjitha forcat e tjera politike për pjesëmarrjen dhe qëndrimet e tyre dinjitoze gjatë fushatës dhe respektimin e vendimit të sovranit. Dhe njëherë urime Kosovës, krenari e shqiptarëve!”, shkruan Berisha.

LEXO EDHE: Zgjedhjet në Kosovë/ KQZ publikon përditësimin e fundit, LVV siguron 49.30% të votave, ja si renditen partitë e tjera

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›