Raporti i BE me kritika: Kosova të përshpejtojë reformat, Serbia të normalizojë raportet

Komisioni Europian vlerëson se Kosova, ndonëse gëzon mbështetje të fortë publike për anëtarësimin, gjatë periudhës së fundit është penguar nga bllokadat institucionale, zgjedhjet e shpeshta dhe përparimi i kufizuar në reforma.
Në raport theksohet se ka pasur rezultate pozitive në luftën kundër krimit të organizuar, ndërsa heqja e masave ndëshkuese ka mundësuar rifillimin e bashkëpunimit dhe asistencës financiare europiane, shkruan A2.
Tashmë, me institucione funksionale, Prishtina këshillohet të përshpejtojë reformat, veçanërisht në sundimin e ligjit dhe të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë, ndërsa Komisioni shprehet i gatshëm të përgatisë opinionin për aplikimin e Kosovës për anëtarësim, nëse këtë e kërkon Këshilli Europian.
Sa i përket Serbisë, Brukseli shpreh shqetësim për nivelin e përafrimit me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, dhe kërkon një përcaktim të qartë për orientimin strategjik. Gjithashtu kushtëzon përparimin në negociata me normalizimin e marrdhënieve me Kosovën.