Raporti vjetor i RTSH, Beci: EBU, e vetmja rrugë për ringritjen e institucionit. Do kërkohet rritje e tarifës, do sjellë pavarësinë financiare

Zv.kryetari i Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar, Petrit Beci, gjatë paraqitjes së raportit periodik në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, u ndal te kriza që ka përfshirë televizionin publik dhe rrugët për daljen prej saj.
Beci theksoi se bashkëpunimi me EBU është thelbësor për reformimin e RTSH-së, por paralajmëroi se në këtë bashkëpunim të ri, do të kërkohen nga EBU masa të qarta, përfshirë rritjen e tarifës aktuale për financimin e qëndrueshëm të institucionit, shkurtimin ligjor të numrit të punonjësve si dhe rritjen e prodhimit edukativ dhe komercial, sipas standardeve të mediave publike evropiane.
“Ju kërkoni nga ne të gjejmë fajtorët, ato i gjejnë institucionet përkatëse. Ne kemi vajtur për të rregulluar institucionin, nuk është hera e parë që vjen EBU, ajo ka bërë atë që ta gjuajmë revolucionin financiar të institucionit dhe ne kemi bashkëpunuar me të në 2007 dhe ajo solli edhe futjen e tarifës, nuk është taksë, por tarifë, në faturën e energjisë elektrike, që rriti buxhetin e institucionit dhe bëri të mundur sistemin e digjitalizimit të pjesshëm të brendshëm, sistemin e digjitalizimit të shpërndarjes së sinjalit, rritjen e pagesave, blerjen e të drejtave televizive të niveleve shumë të larta duke futur brenda botëror, olimpiadë, kampionat shqiptar, Kombëtarja etj. Unë e di çfarë do të ndodh me EBU në masën më të madhe, e para duhet të jemi koshient që EBU të parën do kërkojë rritjen e tarifës dhe e argumentoj pse. Tarifa ku u vendos në masën 100 lekë, nuk u vendos për matës të energjisë elektrike, por për aparat. Sot është vetëm për matës të energjisë elektrike dhe unë kam dyshimet e mia që OSSHE nuk jep të gjithë sasinë, pasi numri i matësve në 2-3 vitet e fundit është rritur shumë më tepër se sa numri i deklaruar. Nuk ka Shqipëria sot 1 milionë e 100 mijë abonentë, ka shumë më tepër dhe po flas për hotelet dhe bizneset.
EBU do kërkojë shkurtimin e numrit të punonjësve, i cili bëhet në mënyrë ligjore, nuk bëhet që të pushosh njerëzit e aftë dhe të marrësh të paaftit. Shteti ka ligjet e veta për shkurtimin e punonjësve, jep asistencë për një vit, paguan rrogë të plotë por nuk bën shkelje që shkojnë në gjyq. Mund të ketë raste sporadike si rezultat i zbatimit, por në të përgjithshmen jo. Do të kërkojë shtimin e prodhimit edukative dhe komercial, sepse në të përgjithshmen e shtimit të prodhimit komercial në mediat publike evropiane automatikisht edhe në RTSH duhet të implementohet. Ke drejtorë orkestrash nuk duhet të luaj vetëm muzikë simfonike por edhe muzikë komerciale, një herë në 3 koncerte”, tha Beci.
Gjatë raportimit, Beci kërkoi mbështetjen e shtetit dhe institucioneve përkatëse të reformimit të RTSH-së në bashkëpunim me EBU.
Pavarësia financiare ishte një tjetër problematikë që Beci preku, ku tha se është thelbësore për funksionimin e televizionit publik që të rritet tarifa dhe të zvogëlohet buxheti shtetit.
“Problemin e RTSH e shoh nëse shteti shqiptar në një moment kritik të tij do e mbështesin atë që do bëhet në bashkëpunim me EBU. Nuk ka institucion tjetër më të specializuar se EBU, kalon çdo përmasë të mundshme të çdo auditi aspo ekspertize tjetër se si mund të ringrihet një institucion i falimentuar apo në gjendje kritike. Është i vetmi mekanizëm që ka specialistët më të mirë nga të gjitha mediat evropiane kryesore. Ne kemi pasur përfaqësues dhe ai i joni është pushuar nga puna. Ishte njëri vendimmarrës në EBU dhe është pushuar nga puna, një nga njerëzit më të aftë që ka pas RTSH, nuk dua të përmend emra. Këto janë arsyet që ka çuar në krizë mendoj unë.
Unë jam optimist që RTSH dhe stafi i ri drejtues ka shumë punë, duhen trajnuar të gjithë ata që punojnë dhe do të ngelen në institucion. Do të ketë zëvendësime, mund të ketë erdhe rikthime. I vetmi problem me rikthimet është pagesa. Kur e kam lënë unë drejtimin e RTSH ishin 880 të punësuar, sot është 1150 duhet të vinte duke zbritur jo duke u ngritur. Ka shumë punonjës të cilët që janë mënuar ta marrin rrogën por janë të pazotë ta bëjnë atë punë. Në momentin që u vu tarifa 100 lekë, EBU mbi bazën e të dhënave publike nga INSTAT e mendohet se duhet të ishte 250 lekë. Sot do jetë minimalisht 500 lekë për aparat me dyfishimin e të ardhurave. Për shtresat në nevojë do kompensohen, siç u kompensuan për energjinë elektrike, le të rrinë te 100 lekëshi, por futen hotelet dhe bizneset që padrejtësisht paguajnë vetëm një. Të ardhurat e RTSH janë shumë të pakta në raport me të ardhurat e mediave të tjera publike homologe në raport me të ardhurat për frymë të atyre vende. E ardhura bazë e RTSH që në 2007 duhet të jetë tarifa dhe duhet të zvogëlohet buxheti i shtetit, është e kundërta e konceptit që ekziston. Ne duhet të çlirohemi nga buxheti i shtetit, e thënë në mënyrë politike zvogëlon influencën e shtetit në institucion dhe shton probabilitetin sa më shumë i të qenit i pavarur”, tha ai.
Gjatë ditës së sotme, 14 tetor, Kryetari i Këshillit Drejtues, Fatjon Hoxhalli, në praninë edhe të Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së, Eni Vasili, gjatë raportimit, evidentuan faktin se institucioni aktualisht është në fazë reformimi të thellë pas një periudhe sfidash institucionale. Reformimi përfshin disa elemente kyçe, si: një model të ri financimi me qëllim sigurimin e pavarësisë dhe qëndrueshmërisë financiare të RTSH-së, indeksimin e tarifës së aparatit televiziv, rishikimin e përqindjes për agjentët mbledhës të tarifës dhe rihartimin e portofolit programor.
/rtsh.al/