E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tejkalimi i sfidave të RTSH, deputetët mbështesin drejtuesit: Urgjente, hartimi i një strategjik për ristrukturim të thellë

Deputetët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik u angazhuan për të ndihmuar në tejkalimin e krizës, duke dhënë edhe disa sugjerime për drejtuesit e RTSH.

Anëtarja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, e cila më herët ka drejtuar procesin e shkarkimit të anëtarëve të Këshillit Drejtues të Radio Televizionit Shqiptar, e konsideroi realist raportin e bërë nga drejtuesit aktualë.

“Unë mendoj që kur ju të mbaroni proceset e auditimit dhe nëse audituesi do të kapë këto shkelje që dimë edhe ne, do të duhet që dosja të çohet edhe në organet e Prokurorisë. Ndoshta ju s’do të vini emra për të qenë korrektë, por emra ka,” tha deputetja demokrate, znj. Zhupa.

Anëtarët e tjerë të Komisionit propozuan marrjen e masave për sa i përket reformimit të thelluar të institucionit në shumë aspekte, edhe në atë të përhapjes gjeografike e demografike, si funksioni i parë publik.

“Do të ishte mirë që të hartohej urgjent një plan strategjik afatmesëm i shoqëruar me një ristrukturim të thellë buxhetor, fokusim të fondeve nga pagat drejt investimeve në përmbajtje dhe në teknologji, krijimi i një strukture për transparencën institucionale dhe përmbushje e plotë e detyrimeve ndaj Kuvendit, si dhe një reformim i thelluar për rikthimin e besimit në publik,” deklaroi zëvendëskryetarja e Komisionit, Iris Luarasi.

“Duhet një plan pune kur përfundon raporti i auditit të brendshëm për të pasur një raportim edhe këtu në parlament, por njëkohësisht edhe një orientim për ju për masat që duhen marrë në të ardhmen. Deri në fund të këtij viti? Atëherë unë propozoj që kjo të jetë pjesë edhe e rezolutës… përfundimi i auditit të brendshëm deri në fund të vitit, dhe marrja e masave,” sugjeroi kryetarja e Komisionit, Jorida Tabaku.

Gazetare: Elda Hasanbelli

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›