Çela te “Ligjet”: Rritje e ndjeshme e procedimeve penale, shqetësime për përdorimin e masave ekstreme të sigurimit

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, paraqiti sot në Komisionin për Çështjet Ligjore raportin vjetor mbi veprimtarinë e institucionit të Prokurorisë për vitin 2024, duke vënë theksin te rritja e ngarkesës së punës dhe tendencat shqetësuese në përdorimin e masave të sigurimit personal.
Sipas të dhënave të paraqitura nga Çela, në vitin 2024 janë trajtuar 61,176 materiale në shqyrtim, një rritje me 10.52% krahasuar me vitin e kaluar. Çela shtoi se, shumica e procedimeve penale të regjistruara janë përqendruar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë, që përbën 35.5% të totalit, ndërsa përqindjet më të ulëta vërehen në Dibër dhe Kukës, me rreth 2.5%.
“Në 2024, në Prokurori janë trajtuar 61, 176 materiale në shqyrtim, që përbën një rritje prej 10.52% në krahasim me një vit më parë. Janë ndjekur gjithsej 47,576 procedime penale, që përbëjnë mnjë rritje prej 4.79% krahasuar me 2023. Nga të cilat, 24 956 procedime penale të regjistruara, 22, 441 janë procedime penale të mbartura dhe 179 të rifilluara. Numri më i madh i procedimeve penale të regjistruara rezulton në prokuroinë pranë gjykatës së shkallës së parë Tiranë, 35.5% të totalit, ndërsa më i ulët mbeten Dibra dhe Kukësi, në nivelin rreth 2.5%”, deklaroi Çela.
Prokurori i Përgjithshëm theksoi se në vitin 2024, janë paraqitur 13,062 kërkesa për masa sigurimi personal, ku rreth 60% e të pandehurve janë objekt i masave shtrënguese.
Çela vuri në dukje se 59.5% e kërkesave të prokurorëve kanë të bëjnë me masa arresti, që përfshijnë rreth 36% të të pandehurve të regjistruar. Sipas tij, këto të dhëna tregojnë një tendencë për përdorimin e masave më ekstreme, si nga prokuroritë, ashtu edhe nga gjykatat.
Për të frenuar këtë praktikë, në korrik të vitit 2024, është miratuar një udhëzim për masat e sigurimit personal, por Çela deklaroi se “ende nuk ka reflektim të mjaftueshëm nga ana e prokurorëve për zbatimin e këtij udhëzimi”.
“Janë paraqitur në gjykatë 13,062 kërkesa për sigurimin personal. Të dhënat mbi kërkesat e prokurorëve për masat e sigurimit tregojnë se në 2024, rreth 60% të të pandehurve ose për 34 të personave në hetim është kërkuara masë sigurimi shtrënguese. Rezulton se 59.5% të kërkesave lidhet me caktimin e mase me arrest, të kërkuara për thuaj 36% të të pandehurve të regjistruar ose 20% të personave në hetim në total. Në 2023, është kërkuar masa sigurimi shtrënguese për mbi 55% të pandehurve të regjistruar ose 32% të personave në hetim. Rreth 59.3% e kërkesave lidhet me caktimin e masës me arrest, e kërkuar për 32.8% të të pandehurve ose për 19% për ata në hetim.
Vetëm në 31 raste në total është kërkuar masa e garancisë pasurore. Ndërkohë që është kërkuar arresti me burg ndaj 3 078 personave, dhe detyrim paraqitje ndaj 2611 personave. Ka një tendencë për përdorimin e masave më ekstreme nga prokuroritë dhe gjykatave. Nisur nga këto të dhëna u miratua në korrik 2024, një udhëzim për masat e sigurimit. Megjithatë, me gjithë këtë udhëzim, ende nuk ka reflektim nga ana e prokurorëve”, përfundoi ai.