E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

“Rasti i Ballukut mban peng integrimin e Shqipërisë në BE”, Almer Toska: Rama pengoi drejtësinë, sulmi ndaj News24 përmendet në raport

Gazetari Almer Toska, i ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, me moderatoren Ola Bruko, ka komentuar Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për Shqipërinë, duke u ndalur te problematikat që vijojnë të pengojnë rrugëtimin e vendit drejt Bashkimit Evropian. Toska u shpreh se ekziston një interes i jashtëzakonshëm i Bashkimit Evropian për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Malit të Zi, por kjo nuk do të thotë se vendi mund të anashkalojë detyrimet dhe kushtet që duhet të përmbushë.

Ai theksoi se Shqipëria ka mbyllur katër kapituj të negociatave, konkretisht kapitujt 20, 26, 30 dhe 36, por në raportin e Komisionit Evropian janë evidentuar ende shqetësime për pavarësinë e drejtësisë dhe lirinë e medias. Sipas gazetarit, një nga çështjet më të rëndësishme të evidentuara në raport është dosja e Belinda Ballukut, ku përmendet edhe pengimi i punës së SPAK përmes mosheqjes së imunitetit të saj nga mazhoranca socialiste.

Toska u ndal gjithashtu te mbrojtja politike që, sipas tij, kryeministri Edi Rama i ka ofruar Ballukut, si dhe te sulmet ndaj medias dhe pronarit të News24, Irfan Hysenbelliu, të cilat janë përfshirë në raport si problematika që kërkojnë vëmendje. Gazetari nënvizoi se pavarësisht dëshirës së Ramës për të arritur objektivin e anëtarësimit në BE, çështja e pavarësisë së drejtësisë mbetet një nga pengesat kryesore. Ai e cilësoi rastin Balluku si një nga nyjet e rëndësishme që duhet të zgjidhen për të çliruar rrugën e Shqipërisë drejt integrimit evropian.

“Duhet t’u themi shqiptarëve se ka një interes të jashtëzakonshëm nga BE-ja për të anëtarësuar Shqipërinë dhe Malin e Zi. Është interes i vendeve anëtare për të anëtarësuar këto dy vende që lagen nga deti Jon dhe Adriatik. Por fakti që këtë e kërkon BE-ja nuk do të thotë se Shqipëria nuk duhet të plotësojë kushtet. Janë mbyllur katër kapituj, konkretisht kapitujt 20, 26, 30 dhe 36. Marta Kos renditi disa nga shqetësimet e BE-së, si pavarësia e gjyqësorit dhe liria e medias. Ajo i përmendi këto si kritika që Shqipëria ende nuk i ka përmbushur.

Reforma në drejtësi është një nga investimet më të mëdha të BE-së, por reforma nuk po jep rezultatet e pritshme në goditjen e korrupsionit në nivele të larta. Në raportin e Komisionit Evropian përmendet rasti i Ballukut, ku thuhet se PS-ja pengoi SPAK-un të kryente detyrën, duke mos i hequr imunitetin. Mbrojtja politike që Rama i bëri Ballukut është përmendur në raport. Po ashtu, edhe sulmi që i është bërë medias dhe pronarit të News24, zotit Hysenbelliu, vitet e fundit, është marrë si shembull në raport për problematikat që Shqipëria nuk i ka përmbushur.

BE-ja e di se cilat janë shqetësimet e shqiptarëve, dhe një prej tyre është drejtësia. Në Shqipëri ka ndikim të pushtetit mbi drejtësinë, sidomos mbi SPAK-un, ku ndërhyrjet kryhen në mënyrë të drejtpërdrejtë nga PS-ja dhe zoti Rama. Rama ka nxitim për të kapur atë trofeun e hyrjes së vendit në BE, por ai është njeriu kryesor që ka penguar drejtësinë. Rasti Balluku e tregon të kundërtën e asaj që thotë Edi Rama. Por si mundet të anëtarësohet Shqipëria kur ka probleme me drejtësinë? Ka dosje pa fund! Rasti Balluku është një ndër nyjet e rëndësishme që, nëse zgjidhet, e çliron litarin e Shqipërisë dhe e çon drejt BE-së.”, tha ai.

© BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›