E Hënë, 2 Nëntor 2026

Reagimi i udhëheqësve evropianë ndaj memorandumit SHBA-Iran, mbështetje diplomacisë dhe gatishmëri ushtarake në Hormuz

Ndërsa liderët botërorë janë mbledhur në Evian-les-Bains për hapjen e samitit të G7, Bashkimi Evropian dhe krerët e shteteve kryesore evropiane kanë reaguar zyrtarisht lidhur me memorandumin e mirëkuptimit të arritur mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Qëndrimet e tyre luhaten mes vlerësimit të lartë për këtë kthesë diplomatike dhe gatishmërisë për të ndërhyrë ushtarakisht për të garantuar lirinë e lundrimit.

Në qendër të vëmendjes mbetet rihapja e Ngushticës së Hormuzit, për të cilën Parisi dhe Londra kanë projektuar tashmë një prani të përbashkët operacionale.

Macron: Misioni në Hormuz vendoset për dy-tre ditë

Presidenti francez, Emmanuel Macron, deklaroi gjatë një interviste për televizionin TF1 se Franca dhe Britania e Madhe janë plotësisht të gatshme të marrin përsipër sigurinë në këtë arterie të rëndësishme detare, sapo marrëveshja të hyjë në fuqi.

“Franca dhe Britania e Madhe janë të gatshme të udhëheqin një mision në Ngushticën e Hormuzit, me mbështetjen e Holandës dhe Italisë, me qëllim që të ndihmojnë në rihapjen e kësaj korsie detare sapo marrëveshja e arritur midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit të zbatohet në mënyrë efektive,” tha Macron.

Kreu i Pallatit Élysée saktësoi se ky mision “mund të vendoset brenda dy ose tre ditësh”. Ai gjithashtu preku çështjen e pretendimeve për taksimin e kalimit detar, duke nënvizuar se:

“Rihapja e Ngushticës së Hormuzit me vendosjen e taksave do të ishte në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.”

Starmer dhe Meloni: Mundësi për një paqe të qëndrueshme

Nga Londra, Kryeministri britanik Keir Starmer përshëndeti rezultatin e negociatave, duke vlerësuar rolin e Presidentit Trump dhe të ndërmjetësve ndërkombëtarë si Pakistani dhe Katari. Starmer vuri theksin te garantimi i përhershëm i lirisë së lundrimit dhe zbatimi pa vonesë i pikave bërthamore.

“Fokusi tani duhet të jetë në zbatimin e plotë të Memorandumit të Mirëkuptimit, për to siguruar që Ngushtica e Hormuzit të rihapet dhe të mbetet plotësisht dhe përgjithmonë e hapur, dhe që aspektet e detajuara të marrëveshjes bërthamore të finalizohen. Prioriteti ynë është që kjo të bëhet një paqe e qëndrueshme,” u shpreh Starmer, duke konfirmuar gjithashtu gatishmërinë për aktivizimin e misionit të pavarur mbrojtës detar.

Në të njëjtën linjë, Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, konfirmoi mbështetjen e Romës zyrtare për këtë proces, duke vënë në dukje se qëndrimi italian është koordinuar me partnerët e tjerë evropianë.

“Mbrëmë, ne, së bashku me Francën, Gjermaninë dhe Mbretërinë e Bashkuar, shprehëm vlerësimin tonë të fortë për memorandumin e mirëkuptimit të nënshkruar nga Shtetet e Bashkuara dhe Irani në orët e fundit. Ky është një mundësi për paqe që duhet shfrytëzuar: Italia, ashtu si në të kaluarën, është e gatshme të mbështesë procesin diplomatik drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse,” thuhej në deklaratën e Meloni-t.

Udhëheqësit e BE-së kërkojnë heshtjen e armëve

Përmes deklaratave të përbashkëta dhe individuale, krerët e institucioneve më të larta të Bashkimit Evropian — Antonio Costa, Ursula von der Leyen dhe Kaja Kallas — e cilësuan situatën si një pikë kthese potenciale për sigurinë globale.

Presidente i Këshillit Evropian, Antonio Costa, nënvizoi se “armët tani duhet të heshtin dhe mosmarrëveshjet e pazgjidhura duhet të zgjidhen me mjete paqësore, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se kjo marrëveshje “është thelbësore për stabilitetin rajonal dhe ekonominë globale, dhe hap rrugën për negociata më të gjera mbi paqen dhe sigurinë në Lindjen e Mesme”.

Përfaqësuesja e lartë, Kaja Kallas, e përmblodhi situatën politike duke specifikuar shkurtimisht se “jemi në një pikë kthese të mundshme”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›