Reduktohen sipërfaqet e mbjella, fermerët: Shtrenjtimi i naftës rrit kostot, subvencionet të pamjaftueshme

Shtrenjtimi i lëndëve djegëse, një bazë kryesore për punimin e tokave bujqësore, ka sjellë kosto shtesë dhe zvogëlim të sipërfaqeve të të mbjellave në disa fshatra te Fierit.
Fermerët thonë se rritja e çmimit të naftës në kohën e punimit të tokës shoqëruar me subvencione të pamjaftueshme i ka detyruar të lënë djerrë tokat e tyre dhe ato të marra me qira.
“Çdo gjë pas naftës vjen. Çdo gjë mbaroi këtu. Kam shumë sipërfaqe toke. Falimentoi çdo gjë, dhe ne drejt asaj jemi, do shesim çdo gjë”, thotë një fermer.
Ata pohojnë gjithashtu se kjo situatë pritet të sjellë pakësim të prodhimeve vendase dhe çmime më të larta për konsumatorin.
“Po rritet gjithçka. Bujqësia ka shkuar në kolaps, s’e përballon dot. Unë kam 4 ha, por kam marrë toka me qira, por nuk e përballoj dot me çmimet e naftës dhe plehrave. Nuk kam më leverdi të marr toka me qira”, thotë një tjetër.
Nëse kjo situatë do të vijojë humbjet do të jenë të jashtëzakonshme thonë fermerët, dhe tokat do të mbesin të papunuara edhe tek kulturat e tjera duke e përkeqësuar edhe më shumë situatën në bujqësi./vizionplus.tv