E Hënë, 2 Nëntor 2026

Zgjedhje të parakohshme parlamentare në Holandë, sondazhet nxjerrin Partinë për Liri forcë të parë

Qytetarët e Holandës I janë drejtuar sot kutive të votimit për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në parlament dhe ku sondazhet paraprake tregojnë se forcë e parë mund të dalë Partia për liri e drejtuar nga Gert Wilders, të cilit i referohen si Trumpi holandez, megjithëse ka pak gjasë që kjo parti të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme. 

Partia për liri që i përket ekstremit të djathtë doli e para në zgjedhjet e mëparshme dhe u bë pjesë e një koalicioni qeveritar konservator me katër parti që qeverisi vendin për një vit para se të shpërbëhej këtë verë për shkak të tërheqjes nga koalicioni të kësaj force për shkak të moszbatimit të planeve radikale të saj kundër imigracionit .

Sondazhet tregojnë që partia e Wilders mund të fitojë nga 24 deri në 28 vende në parlamentin me 150 deputetë, ndërkohë që në zgjedhjet e 2023-it mori 37 vende. Të gjithë partitë kryesore ndërkohë kanë hedhur poshtë mundësinë e një koalicioni me Wilders.

Në fund të një fushate që u dominua nga migracioni, kostot e kujdesit shëndetësor si dhe kriza e strehimit, aleanca mes partisë së majtë të gjelbër dhe asaj të punës, drejtuar nga ish komisionari evropian, Frans Timmermans, doli e dyta në sondazhe dhe parashikohet të marrë 22 deri në 26 vende në parlament.

Partia Liberale Progresiste D66 ndërkohë ka shënuar rritje të ndejshme në sondazhe ku parashikohet të marrë nga 21 deri në 25 vende, siç ka shënuar edhe Kristian Demokratët e qendrës së djathtë që pritet të fitojnë nga 18 deri në 22 vende në parlament.  Nën sistemin zgjedhor proporcional holandez, 0.67 për qind e votave rezultojnë në një deputet.

Nga 27 parti që janë në garë, pritet që vetëm 16 të përfaqësohen në organin ligjvënës të vendit.  Kjo do të thotë se ka shumë gjasë që asnjë parti të fitojë shumicën e nevojshme për të qeverisur e vetme, dhe prej më shumë se një shekulli Holanda është qeverisur nga koalicionet.

Wilders ndërkohë është  shprehur se demokracisë do I vijë fundi nëse forca e tij përfundon më e votuara por nuk bëhet pjesë e qeverisë. 

Ndërsa rezultati është I vështirë të parashikohet dhe bisedimet për një koalicioni qeveritar mund të vazhdojnë për disa muaj, analistët thonë se kabineti i ardhshëm qeveritar ka gjasë të përbëhet nga një koalicioni I gjerë I drejtuar nga qendra e majtë ose e djathta e moderuar.

Gazetare: Elda Pepa

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›