E Hënë, 2 Nëntor 2026

Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së, Eni Vasili: Objektivi ynë, programacion modern dhe profesional

Drejtoresha e Përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar, Eni Vasili në fjalën e saj në Forumin e 11-të të Zhvillimit të Medias (MDF), ka theksuar se institucion që ajo drejton ka si synim që të prodhojë një programacion modern profesional si dhe të tregojë shqetësimet e njerëzve.

Fillimisht Vasili tregoi se si e gjeti programacionin e RTSH-së kur erdhi në krye të këtij institucioni.

 “Kemi një nevojë urgjente për të prodhuar. Kemi gjetur në RTSH 75 projekte të 75 emisioneve pa impakt, jo të gjithë, por një 80 për qind i tyre, duke i “vrarë” RTSH-së edhe shikuesin e fundit për fat të keq. Sepse ishte pa strategji, sepse ishte një skaletë programore pa kuptim, pa ide, pa synime për target-grupe, ishin emisione ishuj, një herë në javë, 2 herë në javë. Ishin emisione që nuk targetonin probleme të vërteta dhe programe për fat të keq nuk kishin zgjuar asnjë interes publik. Kjo është ajo që trashëguam dhe nuk po flas për gropën e madhe buxhetore që krijuan këto projekte. Pra, për t’iu rikthyer një plage tjetër shqiptare. Ju kujtohen piramidat, është pak a shumë e njëjta gjë, ishin premtuar disa para që nuk ishin”, u shpreh Vasili.

Ajo vuri në dukje se objektivi i RTSH-së është që të ofrojë një programacion profesional dhe modern.

Çfarë po mundohemi të bëjmë? Synimi është që të kemi një programacion interesant, profesional, i cili targeton problemet e njerëzve, hallet e tyre, aktualitetin. Kemi pasur shumë pak kohë në dispozicion, nuk kemi pasur kohë të bëjmë studiot, të bëjmë investimet, nuk kemi pasur as buxhete. Por jemi në 12 orë transmetim live, të gjitha emisionet që bëjmë sot janë live, kemi zgjedhur përmbajtje me fasha të gjera dhe të përditshme, sepse ne mendojmë se krijimi i zakonit është mjaft i rëndësishëm. Programacioni modern mbahet sot me fasha të gjera dhe të përditshme që publiku të krijojë besim te moderatori, te përmbajtja”, theksoi drejtoresha e Përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar, Eni Vasili në fjalën e saj në Forumin e 11-të të Zhvillimit të Medias.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›